Në fshatin Kuk të Dragashit, banorët në mënyrë të vetorganizuar kanë filluar që ta rregullojnë infrastrukturën rrugore, pas vërshimeve të 26 qershorit të shkaktuara nga të reshurat e shiut. Ata i kanë kualifikuar dëmet si të mëdha, teksa kanë kërkuar ndihmë nga Komuna dhe nga Qeveria për kompensimin e tyre. Në Komunë kanë thënë se vlera e dëmeve në këtë fshat është rreth gjysmë milioni euro
Vërshimet e 26 qershorit të këtij viti i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme Komunës së Dragashit.
Rreth dhjetë ditë pasi pësuan dëme të mëdha, banorët në fshatit Kuk të Dragashit kanë filluar që ta rregullojnë në mënyrë të vetorganizuar infrastrukturën e dëmtuar rrugore, pasi janë ankuar se as Komuna dhe as Qeveria ende nuk e kanë bërë vlerësimin e dëmeve që ata i kanë pësuar prej vërshimeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.
Banori Nazim Hasani e ka akuzuar Komunën se ka rënë në gjumë.
“Është iniciativë e vetë lagjes sonë, komuna ka ra në gjumë, kanë kaluar më shumë se 10 ditë dhe nuk është marrë asnjë vendim, jemi tmerr. Na banorët jemi në hall të gjithë dhe është mirë që është iniciativë e disa shtëpive këtu, për shkak se as Komuna, as Qeveria nuk kanë bërë asgjë”.
E banori Meli Imeri ka thënë se dëmet që vetëm ai i ka pësuar janë me dhjetëra mija euro.
“Më së pakti 30 mijë euro vërshimet më kanë shkaktuar dëme, të gjitha pajisjet që i kam pasur janë dëmtuar, dëmet janë të pariparueshme dhe të paparashikuara”, ka theksuar ai.
Kapllon Fetahu, përfaqësues i fshatit Kuk, ka bërë të ditur se banorët deri më tash i kanë bërë mbi 40 kërkesa për kompensimin e dëmeve.
“Dëmet janë marramendëse, fshati ynë ka qenë më i dëmtuari nga të gjithë fshatrat e Dragashit. Sa i përket Qeverisë nuk na ka zgjatë dorën së paku edhe me fjalë, kryeministri ka qenë por me ndihma jo. Mbi 40 kërkesa janë bërë për kompensimin e dëmeve. Mbi 600 apo 700 mijë euro janë dëme në infrastrukturë”, ka thënë Fetahu.
Në Komunën e Dragashit kanë theksuar se vlera totale e dëmeve nga vërshimet në fshatin Kuk është rreth gjysmë milioni euro.
“Vlera e dëmeve të vërshimeve në fshatin Kuk të Komunës së Dragashit është afro gjysmë milioni euro. Ne si komunë nuk kemi buxhet për kompensimin e të gjitha dëmeve, jemi në pritje të Qeverisë për formimin e komisionit të vlerësimit të dëmeve”, kanë thënë në Komunën e Dragashit.
Menjëherë pas vërshimeve, fshatin Kuk e pati vizituar kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë zotimin për ndihmë banorëve, pas vlerësimit të dëmeve.
Përveç fshatit Kuk, vërshime dy javë më parë ka pasur edhe në fshatrat Qollopek, Bresanë, Kosavë e Pllajnik të Komunës së Dragashit.