Arbëri

Banorët e fshatit Bujan me 200 nënshkrime kundërshtojnë zgjedhjen e këshillit të fshatit

Agim Ademi

Banorët e fshatit Bujan të Komunës së Lipjanit nëpërmjet një peticioni me rreth 200 nënshkrime kanë kundërshtuar zgjedhjen e strukturave dhe këshillit të fshatit të tyre me arsyetime se shumica e qytetarëve nuk janë ftuar për të marrë pjesë në procesin e votimit. Sipas banorëve, shumica e anëtarëve në struktura të fshatit janë militant të partisë në pushtet (LDK), prandaj kanë kërkuar që procesi zgjedhor të përsëritet.

Valdet Buja, banor nga ky fshat ka thënë se procesi për zgjedhjen e kryetarit dhe këshillit të fshatit duhet të përsëriten me arsyetim se nuk kanë qenë prezent të gjithë banorët e fshatit.

“Nuk janë bërë ftesat me kohë për të marrë pjesë të gjithë banorët në procesin zgjedhor, prandaj ky proces është mbajtur me nguti nga ana e komunës, prandaj rreth 200 nënshkrime i kemi dorëzuar në Komunë dhe kërkojmë që e gjithë procesi të përsëritet. Pra, duhet të bëhen ftesat me kohë në mënyrë që të marrin pjesë të gjithë banorët e fshatit”, ka thënë Buja. Sipas tij, peticioni i banorëve duhet të dalë edhe para kuvendarëve për t’u diskutuar.

Ndërkaq, banorëve nëpërmjet një shkrese u është përgjigjur kryesuesi i Kuvendit Komunal në Lipjan, Daut Azemi, i cili ka sqaruar se kërkesa e banorëve është adresuar te komisioni për zgjedhjen e këshillave të fshatrave me qëllim që ai të shqyrtohet.

“Duke u bazuar në faktin se si kryesues i Kuvendit të Komunës, ende nuk e kam pranuar asnjë raport nga ana e Komisionit për Koordinimin e procesit të zgjedhjeve të këshillave lokale të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane të Komunës, ju njoftojmë se shkresën tuaj e kam adresuar-transferuar në kompetencë të komisionit për koordinimin e procesit të zgjedhjeve të këshillave lokale të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane të Komunës së Lipjanit”, thuhet midis të tjerash në përgjigjen e Komunës.

Image