Arbëri

Banorët e Bërnicës paralajmërojnë bllokimin e rrugës nëse s’u bëhet zgjidhje për ujin

Në fshatin Bërnicë e Epërme të Komunës së Prishtinës gypat e rrjetit të ujësjellësit janë bosh. Prej 20 vjetësh banorët përballen me mungesë të ujit. Ata kanë protestuar të dielën dhe kanë thënë se do ta bllokojnë edhe rrugën Prishtinë-Podujevë nëse nuk u bëhet zgjidhje shpejt

Banorë të fshatit Bërnicë të Prishtinës kanë protestuar të dielën para shkollës fillore “Andon Zako Çajupi”, e cila ndodhet në fshatin Bardhosh. Banorët kanë thënë se kanë bërë vazhdimisht kërkesa për zgjidhjen e problemit 20-vjeçar me ujin, por se asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Disa nga protestuesit kanë dhënë edhe alternativat e zgjidhjes.

“Zgjidhja e parë është të vendoset një rezervuar në këtë pjesën sipër atje dhe ta bëjnë me rënie të lirë, mirëpo kanë thënë që kjo mundësi është e parealizueshme për shkak se ka kosto shumë të lartë. Domethënë ashtu është arsyetimi i tyre”, ka thënë Betim Bajoku, një prej banorëve. “Te shërbimet publike na është aprovuar kjo kërkesë e jona për pompë, mirëpo fatkeqësisht kurrë asnjëherë nuk kanë dalë të na shohin si banorë a kemi ujë apo cili është halli jonë”.

Banorët kanë adresuar një peticion në Komunë dhe në KUR “Prishtina”.

Sipas banorëve, kompania u ka premtuar zgjidhje e Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

“Para dy javësh e kemi dorëzuar një peticion prej 200 nënshkrimeve edhe në Komunën e Prishtinës, edhe në Ujësjellës. Ujësjellësi na ka takuar, na ka pritur, na ka dhënë premtime që do ta bëjmë një analizë të gjendjes, pastaj do të dalin me një vendim dhe do të bëhet zgjidhja, kurse nga Komuna e Prishtinës nuk kemi asnjë përgjigje”, ka thënë Fahri Shaqiri, një tjetër banor.

E Halit Islami, banor që shfaqi pakënaqësinë në protestë, ka bërë thirrje që të ndërmerren masa. Nëse zgjidhja do të mungojë, ai ka paralajmëruar bllokim të rrugës Prishtinë-Podujevë deri në realizimin e kërkesës për ujë të pijshëm.

“Që 22 vjet ujë këtu nuk ka pasur, prandaj ju bëj apel kryetarit të Komunës, Përparim Rama, dhe Sokol Xhafës, drejtor gjeneral, që ta marrin seriozisht këtë punë, përndryshe do të dalim dhe do ta bllokojmë rrugën me fëmijë e me gra e me burra e me çka jemi. Pa bukë mundet njeriu të jetojë deri në 40 ditë, kurse pa ujë as dy orë nuk mund të jetojë”, ka thënë ai.

Banorët e këtij fshati edhe në vite të tjera kanë parashtruar kërkesa për furnizim me ujë nëpërmjet një pompe, por kanë thënë se, ndonëse ajo është aprovuar, zgjidhja nuk është bërë.