Arbëri

Banorët e Bërnicës në hall me ujërat e zeza, Komuna nuk u bën zgjidhje

Nuk gjendet shumë larg qendrës së qytetit, por fshati Bërnicë, një ndër më të mëdhenjtë në Prishtinë, problem të shtuar ka me rrjetin e kanalizimit.

Si shkak i kësaj, banorët janë në hall me ujërat e zeza sidomos ata të cilët jetojnë afër lumit i cili rrjedh nga fshati Siqevë dhe derdhet në Bërnicë, në të cilin edhe këta banorë janë të detyruar që t’i derdhin ujërat e zeza në të, në pamundësi të një zgjidhjeje tjetër.

Banori Xhafer Mengjiqi, i cili jeton me familje, thotë se këtë problem e kanë që shumë vite dhe se komuna nuk po iu ofron asnjë zgjidhje.

Kundërmim, ujëra të zeza nëpër oborrin e shtëpisë së tij dhe gjarpërinjtë janë frika më e madhe, sipas Mengjiqit, duke marrë parasysh faktin që në shtëpi kjo familje ka edhe fëmijë të vegjël.

Problemi edhe më shumë iu shtohet në momentin që ka reshje atmosferike të shiut, kur uji iu depërton deri në bodrumet e shtëpive.

Edhe pse nuk ka shpresë për zgjidhjen e problemit, Mengjiqi bën apel te komuna që të dalë në terren dhe ta shohë gjendjen e tyre.

Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se është në dijeni për këtë gjë.

Megjithatë, ai deklaron se banorët duhet t’i mbledhin vetë nënshkrimet për tokat që janë në emër të pronarëve të tjerë në mënyrë që komuna të intervenojë.

Sipas Xhaferit, nëse banorët i mbledhin nënshkrimet deri në vitin 2025, komuna do të ndërhyjë, në të kundërtën problemi për këta banorë do të mbetet i pazgjidhur.

Hallin me rrjetin e ujërave të zeza në Prishtinë e kanë edhe shumë kryeqytetas edhe në qendër.