Arbëri

Banorët e Bellopojës kërkojnë masa për të parandaluar aksidentet nga shpejtësia e lartë e automjeteve

Banorët e fshatit Bellopojë në Podujevë përballen me rrezikun e vazhdueshëm nga veturat që qarkullojnë me shpejtësi të lartë në rrugën kryesore. Për pasojë, janë shkaktuar aksidente të shumta, ku shumë persona janë lënduar e muret e oborret e shtëpive janë dëmtuar. Për këtë, banorët ndihen të pasigurt e kërkojnë që të merren masa.

Dyert, muret dhe oborret e shtëpive në fshatin Bellopojë të Podujevës shpesh bëhen cak përplasjeje nga automjetet që qarkullojnë me shpejtësi të lartë.

Kjo ka bërë që banorët të jenë të rrezikuar edhe kur ndodhen në oborre.

Në rrugën 5 kilometërshe nuk ka asnjë masë për uljen e shpejtësisë e për pasojë, persona të shumtë janë lënduar nga aksidentet në këtë zonë.

Shemsi Maloku, banor i fshatit, rrëfen se shumë anëtarë të familjes së tij, përfshirë fëmijë, janë aksidentuar nga veturat që kanë qarkulluar me shpejtësi.

Ai thotë se siguri nuk ndiejnë as në shtëpi, pasi oborri i shtëpisë së tij shpesh bëhet ndalesa e fundit e veturave.

“Ne po pësojmë, po kemi dëme, veturat përplasen nëpër mur, nëpër dyer, po rrezikohen fëmijët. Tre fëmijë të familjes sonë janë goditur nga veturat. Prej këtu deri te shkolla, shpejtësia zhvillohet mbi 100 në orë. Ka pasur raste kur krejt familja është rrezikuar nga shpejtësia e veturave, sepse vetura e ka goditur murin. Ka qenë gruaja me fëmijë duke qëndruar në oborr, vetura ka goditur murin dhe ka hyrë në oborr”, ka deklaruar Maloku.

Banorët e këtij fshati e shohin si zgjidhje vendosjen e pengesave (policëve të shtrirë) në rrugë.

Ata thonë se këtë kërkesë e kanë adresuar disa herë edhe në Komunën e Podujevës.

“Këtu prej mbas lufte janë njerëzit e rrezikuar d.m.th. prej mbas lufte janë që 24 vjet, e duhet të bëhet një zgjidhje. Komuna e Podujevës nuk ka ndërmarrë asgjë. Këtu ka pasur njerëz para vdekjes, mbasi nuk ka pasur vdekje duhet sa ma shpejt ta kryejnë këtë punë. Nuk shkon ditë këtu pa rënë 7-8 vetura”, u shpreh banori Haki Maloku.

Bahri Sejdiu, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, shpjegon se për ta trajtuar këtë çështje, banorët duhet ta dorëzojnë një kërkesë formale.

Sidoqoftë, ai nuk e sheh zgjidhje vendosjen e pengesave në këtë rrugë.

“Gojarisht po, më kanë thënë edhe mua për disa probleme që janë madje më kanë dërguar edhe disa video që i kam, një aksident që ka ndodhur. Nuk është zgjidhje shumë e mirë edhe nëse ne vendosim pengesa, ku ka kërkesa të shumta. Zgjidhja është Policia. Policia duhet të dalë në vendngjarje, duhet ta frekuentojë atë rrugë me shpesh, duhet të shqiptojë gjoba për ata të cilët e kalojnë shpejtësinë., ka deklaruar Sejdiu.

Megjithatë, Policia ka mohuar se ka pasur aksidente të shumta në këtë rrugë.

“Në fshatin Bellopojë gjatë vitit 2024 janë regjistruar 2 aksidente (një me dëme materiale dhe një me lëndime), ndërsa në vitin 2025 akoma nuk kemi aksidente të regjistruara në atë pjesë”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Kjo rrugë lidh tri fshatra të Komunës së Podujevës me fshatin Sharban të Prishtinës dhe mundëson daljen në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë.