Banorët e Baicës së Lipjanit me vetëfinancim kanë bërë disa investime te burimi i ujit të nxehtë, ku gjatë ditës qindra njerëz marrin ujë të bindur se është shërues. Projekti i banorëve ka ngelur në gjysmë në mungesë të mjeteve dhe ata kërkojnë ndihmën e autoriteteve lokale. Në Komunë thonë se për sivjet nuk kanë buxhet e për vitin e ardhshëm do të shohin
Banorët e Baicës së Lipjanit prej vitesh po kërkojnë nga institucionet komunale investime te burimi i ujit të nxehtë, që gjatë ditës vizitohet nga qindra njerëz.
Uji, sipas banorëve, shëron një varg sëmundjesh dhe ata me vetëfinancim kanë rregulluar këtë pishinë për ta shfrytëzuar për rekreacion. Por projekti ka mbetur në gjysmë shkaku i mungesës së mjeteve financiare.
Si çështje është ngritur disa herë edhe në mbledhjet e Kuvendit Komunal nga asamblisti i PDK-së që vjen nga ky lokalitet, Ardit Cani.
“Kërkesat tona konkrete janë që të bëhen investime për rregullimin e vrelles së nxehtë, pastaj rregullimin e shtratit të ujit rrjedhës, krijimin e trotuareve për këmbësorë, ndërtimin e parkingjeve dhe rregullimi i trotuareve në fshat, rregullimin e ndriçimit në disa pjesë”, ka thënë Cani, banor i Baicës.
E Halit Cani nga po i njëjti vend ka ftuar drejtuesit e pushtetit komunal që të vizitojnë fshatin e të binden vetë për nevojën e investimeve.
“Investimet këtu janë zero, siç po shihet. Komuna jonë dhe kryetari i komunës duhet me ardhur në fshatin tonë dhe ta shikon nëse plaku i fshatit a po e thotë të vërteten këtu. Le të vijë kryetari dhe le ta shikojë se a duhet të bëhen investime këtu ose le ta mbyllë krejt. Ndriçimi, trotuari, parkingu, pastaj veturat po i sheh të gjitha njëra mbi tjetrën”.
Vizitorët po ashtu janë të bindur se shfrytëzimi i këtij uji shëron shumë sëmundje.
“Këta ujë e shfrytëzojmë mbi dy vjet, është i mirë , zakonisht për lukth, për tension, për lëkurë e të tjera. Edhe prindërve të mi u ka ndihmuar dhe besoj se kushdo që ka nevojë mund të vijë dhe ta përdorë”, ka thënë Besim Shala, vizitor nga Mitrovica.
Avni Jashari, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Lipjanit, ka thënë se për shkak të mungesës së buxhetit deri tash nuk ishte e mundur të bëhen investime te ky burim.
“Një gjë mund të siguroj se para se të vijnë kërkesat e qytetarëve unë së bashku me drejtorin për Infrastrukturë dhe inxhinierët projektues kemi qenë dhe e kemi vizituar atë vend aty. Mund të themi se sivjet nuk kemi ndarë buxhet, por jemi duke i parë mundësitë reale që ta fusim në buxhet për vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Jashari.
Sipas Jasharit, nuk dihet se në çka do të investohet, por zotohet se projektuesit do ta realizojnë një projekt në interes të qytetarëve dhe vizitorëve.