Arbëri

Banorët e Baicës kritikojnë pushtetin për mungesë të investimeve në burimin e ujit të nxehtë

Banorët dhe vizitorët e Vrellës në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit po i kritikojnë institucionet publike për mungesë të investimeve.

Sipas tyre, në vitin e kaluar me vetinvestim kanë rregulluar pishinën, e cila po shfrytëzohej vazhdimisht nga të rinjtë e disa lokaliteteve, por kërkesat për projekte të reja kanë munguar nga komuna.

Sokol Bellagoshi, njëri nga banorët e këtij fshati, ka thënë se uji i ngrohtë i Vrellës është shërues për shumë sëmundje.

“Kemi nevojë për këtë pjesë për ndërtimin e trotuareve, për disa pushimore, të angazhohen për mirëmbajtjen e këtij ambienti. Ne e mirëmbajmë me rini tonën aq sa kemi mundësi, mirëpo nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Bellagoshi.

Asamblisti që përfaqëson banorët e këtij fshati në Kuvendin Komunal në Lipjan nga radhët e PDK-së, Ardit Cani, ka thënë se disa herë ka bërë kërkesa për investime, por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato.

“Arsyeja pse këto kërkesa i kam adresuar në Kuvendin Komunal është sepse Baica është një vend që ka bukuri të shumta natyrore dhe ia vlen të investohet, një nga arsyet për të investuar është ky vend i burimit të nxehtë, i cili ka mundësi të shumta për investime sepse deri më tash nuk ka pasur investime nga Komuna”, ka pohuar Cani.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Hyra Bytyqi, ka thënë se aty problem është çështja e pronësisë, ndërsa ka shtuar se Komuna po angazhohet të sigurojë financa për investime në këtë vend.

Uji i nxehtë aty arrin temperaturën rreth 24 gradë gjatë katër stinëve të vitit.