Arbëri

Banorët ankohen se “Pastërtia” po ua lë bërllokun para dyerve

Në tri lagje të Ferizajt banorët janë ankuar në kompaninë “Pastërtia”, për të cilën kanë thënë se nuk është duke e kryer shërbimin për të cilin e paguajnë. Sipas tyre, ka tri javë që mbeturinat nuk janë grumbulluar. Në kompani kanë dhënë një justifikim për vonesën

Banorë të lagjeve “Tirana”, “Kruja” dhe “Fazli Obrazhda” të Ferizajt janë ankuar se prej më shumë se tri javësh kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” nuk ua ka marrë mbeturinat, për largimin e të cilave paguajnë rregullisht.

Zgjidhjen nuk ua ka bërë kompania nën arsyetimin se makineritë i kanë në defekt.

Banorë të këtyre lagjeve thonë se me t’u ngritur temperaturat, problemi është bërë më i ndjeshëm shkaku i kundërmimit.

“Tash është java e tretë dhe kemi hyrë në javën e katërt dhe tash po shihen që janë të grumbulluara, të pamarra, të patërhequra”, ka thënë Xhafer Frangu, një nga banorët. “Tash grumbull është. Prej javës në javë, qe tri herë që i ndërrojmë qeset, se jo qentë, jo macet...”.

E, Rasim Spahiu ka shprehur një brengë tjetër.

“Tash po ka kundërmime. Vinë qentë shkaku i mbeturinave dhe nxënësit s’po mund të shkojnë në shkollë, nga qentë”, ka thënë ai. “Kemi bërë ankesë. Dy herë i kemi thirrur në telefon. Më kanë thënë ‘po, po’. S’ka pasur asgjë”.

Në kompaninë “Pastërtia” dhanë justifikimin për vonesat në grumbullimin e mbeturinave. Por, ndryshe nga banorët, në këtë kompani e mohuan që prej tri javësh mbeturinat nuk janë larguar.

“Kemi pasur edhe në disa ngecje në teknikë – duke pasur parasysh që ka pasur vonesa në disa rrugë dhe lagje, duke pasur parasysh që këto defekte janë të theksuara – siç po i shihni, sektori i mekanikëve po e bën të pamundurën që t’i rregullojë këto. Ka pasur mundësi të shkojmë të nesërmen, ka pasur vonesë një ditë, dy ditë”, ka thënë Gazmend Ismajli, përgjegjës në Ferizaj i kompanisë “Pastërtia”.

E banorët thonë së nuk janë të interesuar t’i dëgjojnë arsyetimet e përfaqësuesve të kompanisë, por ta marrin shërbimin për të cilin paguajnë.

“Ne nuk i dimë problemet e brendshme të tyre, as çështjet financiare, por e kanë për obligim të vijnë dhe t’i marrin mbeturinat për çdo javë, sepse është rregull. Jemi pagues të rregullt”, ka thënë Isa Ilazi.

Kompania “Pastërtia”, për shërbimet e së cilës ankohen banorët, ka përfituar si donacion disa automjete për bartjen e mbeturinave e të cilat pritet të futen në përdorim nga muaji korrik.