Arbëri

Banorët ankohen për zvarritje të punimeve në ndërtimin e shtëpive në veri

Ndërtimi i shtëpive në pjesën veriore të Kosovës nuk është duke shkuar siç kanë pritur banorët. Ndonëse shprehen të kënaqur me mundësinë e kthimit në pronat e tyre nga të cilat u detyruan të largoheshin menjëherë pas luftës, disa banorë në Mitrovicë të Veriut ankohen për zvarritje punimesh e mungesë infrastrukture.

Arben Rexhepi prej rreth një viti pret përfundimin e ndërtimit të shtëpisë e bashkë me këtë edhe kthimin në pronën e tij në “Kodrën e Minatorëve” në veri të Mitrovicës.

Punimet që janë afër finalizimit ai thotë se do të duhej të kryheshin shumë më herët.

“..kryesisht kanë ardhë kanë punu një javë, dy javë e kanë ndërpre punën, mbas 1 muaji kanë fillu prapë... deri tash është dasht moti me u kry shtëpia”, ka thënë Rexhepi.

Megjithëkëtë, ky banor shprehet i kënaqur me punën që është bërë dhe thotë se së bashku me anëtarët e tjerë të familjes do të kthehet nga jugu për të jetuar në pronën në veri, nga e cila u detyrua të largohej menjëherë pas luftës.

“22 vjet kam bërë nga pak lëvizje por nuk kam ardhë qekaq shpesh në veri. S’kam pas arsye për çka me ardhë, s’kam pas shtëpi më së pari. Prejse ka fillu me u ndërtu shtëpia bon vakia 5 herë në javë vij gjithqysh me këqyr shtëpinë, edhe nëse nuk është kurrkush tu punu veç kam qejf me ardhë me kqyr”, ka shtuar ai.

Fatin e Rexhepit nuk e ka edhe Ramadan Istrefi. Ndonëse thotë se është përfitues i projektit të qeverisë për ndërtimin e shtëpive në veri, punimet në pronën e tij ende nuk kanë filluar.

Shtëpia në të cilën ka jetuar deri në mars të 1999-s, sipas Istrefit, ka qenë shkollë për dhjetëra nxënës shqiptarë e edhe pikë takimi e përfaqësuesve politikë, gjatë okupimit nga Serbia.

Ai ka kritika për Qeverinë e Kosovës për moskoordinim me banorët e veriut e edhe për zvarritje të procesit të ndërtimit të shtëpive.

“Këtë nuk e kam ngarkesë që një vit apo një vit e gjysmë, po rrafsh qe 25 vjet e kam ngarkesë këtë shtëpi. Kurrë skam mujtë me punu kurgjo tu mendu me dal në shtëpi tem. Edhe për neve çka jemi, çka i kemi shtëpitë e djegura këtu është shumë ngarkesë e madh, kemi nejt nëpër shtëpi të huaja kah kemi mujt, qysh kemi mujt. Edhe sot masi janë kriju kushtet, ka mjete... por po shkon puna ngadalë. Ku është faji nuk e di?...për mua është dasht që krejt këto 10 shtëpi me u kthy përnjëherë, kur te shohin edhe këta kojshit tonë, si jemi dalë në shtëpia tona, flasin ndryshe flasin më mirë”, u shpreh Istrefi.

Në anën tjetër, Betim Osmani, i cili është vjen nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, thotë se me gjithë thirrjet për kthim mungon strategjia për një gjë të tillë.

Sipas tij, përveçse projekti është duke u zhvilluar ngadalë, shtëpive të ndërtuara në veri u mungon infrastruktura e nevojshme për kthimin e banorëve.

“Vetëm në këtë lagje janë të djegura diku 76 shtëpi, vitin 2023 ka fillu me ndërtimin e 8 shtëpive, shumica prej tyre janë kry. Infrastruktura nuk është e gatshme, nuk ka as rrugë normale për qasje në oborrin e shtëpisë dhe 7 nga këto nuk kanë qasje as në ujë të pijes as në kanalizim”, ka thënë Osmani.

Sipas të dhënave që KOHA ka siguruar nga burime të saj, në katër komunat në veri të Kosovës janë ndërtuar ose janë në proces të ndërtimit 129 shtëpi, prej të cilave 39 në Mitrovicë të Veriut.

Por, në Ministrinë e Pushtetit Lokal nuk treguan se në sa prej tyre ka filluar banimi.