Komuna e Ferizajt sivjet ka lëshuar me dhjetëra leje për ndërtimin e banesave kolektive. Por kjo ka nxitur pakënaqësinë e qytetarëve që ankohen se kaosi urbanistik i shkaktuar nga objektet e ndërtuara afër njëra-tjetrës po e rrit rrezikshmërinë e tyre gjatë lëvizjes nëpër rrugë
Lëshimi i dhjetëra lejeve gjatë këtij viti për ndërtimin e banesa kolektive në qytetin e Ferizajt ka nxitur pakënaqësi te qytetarët.
Ata ankohen se objektet e reja po ngrihen pa zbatimin e kritereve urbanistike, duke u ndërtuar afër njëra-tjetrës e pa lënë hapësira për gjelbërim, parkingje e pa vende adekuate për heqjen e mbeturinave.
Qytetari Ramadan Krivaça shpreh ankesën se ndërtimet shpesh ndodhin edhe pa leje paraprake e që si pasojë edhe ua rrezikojnë jetën qytetarëve.
“Ndërtimet janë tepër shpesh. Nëse ndizet një zjarr nuk mund të futet askush. Kemi mbetur pa ajër të pastër. Në katin e tetë a mund të bën diçka nëse ndizet një zjarr. Dëmtohet ashensori, njerëzit mbesin brenda”, është ankuar Krivaça. “Nuk shikon askush, pa leje bëhen ndërtime, në komunë ju thonë veç ndërto se pas ndërtimit ta japim lejen, kurse banesat janë ndërtuar ngjitur njëra me tjetrën”.
Brengë të njëjtë shprehu edhe qytetari Azem Çerkini.
“Si qytetar më brengos sepse objektet janë afër njëra-tjetrës. Nëse ndodh një zjarr do ta ketë problem të depërtojnë edhe zjarrfikësit, pastaj kësaj i shtohen mungesa e parqeve për fëmijë, hapësira gjelbëruese, vendparkingjet”, ka thënë Çerkini.
Rexhep Maloku, menaxher i projekteve në organizatën INPO, thotë se problemi me ndërtimet në Ferizaj nisi që nga viti 2017, me miratimin e Planit Zhvillimor Komunal, që, sipas tij, i mundësoi ndërtimet e larta kolektive në zona të ndryshme të qytetit teksa asnjëherë nuk janë miratuar hartat zonale.
“Në PZHK janë paraparë zona në formë të shiritit, të cilat janë paraparë si rendi i parë apo i dytë i parcelave dhe aty kanë filluar problemet, sepse parcelat e rendit të tretë dhe të katërt kanë mbetur për ndërtime të ulëta dhe kjo ka krijuar probleme edhe ndërmjet fqinjëve. Po natyrisht se e gjithë kjo nuk është përcjellë as me harta zonale të qytetit, sepse aty do të specifikoheshin detajet, lartësia, distanca dhe të gjitha procedurat e nevojshme”, ka thënë Maloku.
E Arbër Bytyqi, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, thotë se në mungesë të hartave zonale janë detyruar që të gjejnë bazë tjetër ligjore për dhënien e lejeve ndërtimore.
“Ligji i ndërtimit e thotë shumë qartë, në mungesë të dokumenteve të planifikimit duhet të zbatohet ligji i ndërtimit dhe shumë saktë jepet përshkrimi se si duhet të vazhdohet me procedura. Është ligji i ndërtimit, është udhëzimi administrativ 6\2017 që e specifikon dhënien e lejeve ndërtimore në mungesë të dokumenteve të planifikimit hapësinor”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka theksuar se brenda këtij viti Ferizaj do t’i ketë edhe hartat zonale të cilat i përcaktojnë kriteret për dhënien e lejeve ndërtimore.