Banorë të qytetit në Kamenicë pa lejen e komunës kanë ndërtuar një urë nga druri në lumin Krivareka. Ura po shfrytëzohet nga qytetarët për kalim nga lagja e Malësisë në drejtim të lagjes Qendra dhe anasjelltas. Mirëpo kalimi në këtë urë të improvizuar është i rrezikshëm ngase mungojnë shumë pjesë të drurit dhe një pakujdesi gjatë ecjes mbi këtë urë mund të kushtojë me rënien në lumë.
Komuna në anën tjetër është e njoftuar për ekzistimin e një ure të tillë, mirëpo ende nuk kanë marrë masa. Ndërkaq qytetarët deklarojnë se është i nevojshëm ndërtimi i urave të reja dhe se komuna është në dijeni për kërkesat e tyre, raporton KOHA.
Kryetari i lagjes Qendra, Ruzhdi Qehaja, deklaron se ura e improvizuar duhet të rrënohet për shkak të rrezikut që paraqet.
“Nëse ka inspeksion, ura e tillë duhet te rrënohet sepse mundet me u mbyt dikush. Si këshill lokal kërkojmë që të ndërtohet një urë nga komuna e cila do të lidh lagjen Qendra me një pjesë të lagjes Malësia, ku qytetarët do të kenë më të lehtë qarkullimin në të dy anët e qytetit”, ka thënë ai.
Qehaja thekson se pushteti komunal në këtë mandat ka investuar në zhvillimin e zonës urbane e cila është mirëpritur nga qytetarët. Deklaron se ish-qeverisjet komunale në të kaluarën investimet i kanë orientuar më shumë në zhvillimin e zonave rurale.
Ndërkaq banorët të fshatit Koretin kanë parashtruar një kërkesë në adresë të autoriteteve komunale për ndërtimin e një ure mirëpo deri tani nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.
Kryetari i fshatit Koretin, Sejdi Kurteshi deklaron se për këtë çështje kanë diskutuar edhe me përfaqësues të KFOR-it amerikan.
“E kemi pas një urë të drurit e cila është shfrytëzuar nga banorët me kalu lumin. Tash nuk është më ajo urë është rrënuar. KFOR-i amerikan na kanë thënë se do të shikojnë brenda mundësive të tyre për të ndërtuar një urë. Kjo ka qenë para 1 muaji”, ka thënë Kurteshi.
Ndërkaq zyrtari i shërbimeve publike, Hysen Jerliu, deklaron se është i njoftuar për ndërtimin e urës së improvizuar në lumin Krivareka. Ai thotë se do të punojnë për gjetjen e një zgjidhje.
“Njëanshëm qytetarët e kanë bë atë urë. Ata kanë nevojë me kalu në atë pjesë mirëpo në atë formë nuk lejohet edhe ne po dalim në pozicion jo të favorshëm. Duhet të gjendet një zgjidhje në bazë të planit detal urbanistik dhe mundësive buxhetore. Kurse në fshatin Koretin e kemi rrënuar urën e drurit dhe po tentojmë edhe në atë pjesë më bo një zgjidhje” ka thënë ai.