Arbëri

Banka Botërore optimiste se shëndetësia mund të digjitalizohet

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Probleme krejt të thjeshta i ka identifikuar një studim i Bankës Botërore në projektin për digjitalizimin e shëndetësisë. Tek e përmend menaxhimin online të vaksinimit kundër COVID-19 si dëshmi se sistemi mund të jetë funksional, raporti identifikon si problematika mosfunksionimin e printerëve, mungesën e tonerëve si dhe telashet me internet. E në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se janë në përgatitje të një plani për adresimin e defekteve

Rreth 52 milionë euro duhet të investojë Qeveria e Kosovës për digjitalizimin e shëndetësisë për një periudhe 7-vjeçare, është e dhëna e paraqitur në një studim voluminoz të Bankës Botërore.

Studimi me titull: “Zhvillimi i studimit të Fizibilitetit për eHealth në Kosovë” thekson se sistemi mund të tregohet funksional në institucionet shëndetësore, e këtë e argumenton me menaxhimin online të procesit të vaksinimit për COVID-19.

“Fakti që gjithsej 904,270 persona që morën të paktën një dozë vaksine u regjistruan në modulin e vaksinimit, Sistemin Bazik të Informimin Shëndetësor, dhe gjithsej u regjistruan 1,836,002 vaksina, është një tregues i fortë i aftësive teknike të sistemit bazik të Informimin Shëndetësor dhe aftësisë së tij për të trajtuar vëllime të mëdha të dhënash. Zbatimi dhe përdorimi i suksesshëm i modulit të vaksinimit nxjerr në pah besueshmërinë dhe efikasitetin e sistemit”, thuhet në studim.

Në vrojtimin e gjendjes momentale të sistemit, raporti konstaton se në shumicën e institucioneve është i shtrirë një sistem bazik i informimit shëndetësor. Por, rreth 40 për qind e punëtorëve shëndetësorë, pjesëmarrës në studim, u ankuan se ai nuk funksionon, shkaku i problemeve të thjeshta, përfshirë mungesën e internetit stabil, telashet me printer e shpesh edhe mungesën e tonerit në të.

“Për shembull një printer në disa zyra, kështu që shpesh pacienti dërgohet të shkojë të marrë një raport/recetë të printuar dhe më pas të kthehet në zyrën e mjekut me raportin e printuar për nënshkrim dhe vulë”, thuhet në studimin e Bankës Botërore.

Si problematikë tjetër u identifikua numri i vogël i kompjuterëve, teksa u paraqitën praktikat e shteteve të BE-së.

“Në BE, spitalet më të mëdha përgjithësisht priren të kenë një raport më të lartë të PC-ve ndaj punonjësve, shpesh duke i siguruar secilit punonjës kompjuterin e tij për mbajtjen e regjistrave dhe komunikimin efikas. Kjo mund të variojë nga një kompjuter për dy deri në tre punonjës në spitalet më të vogla, në një kompjuter për çdo punonjës në spitalet më të mëdha”, theksohet në dokument.

Mes rreziqeve që mund të ndikojnë që sistemi të mos jetë mjaftueshëm funksional u theksuan numri i pamjaftueshëm i personelit të kualifikuar në fushën e teknologjisë informative, telashet me furnizimin me rrymë, mungesa e infrastrukturës teknike, si dhe barrierat ligjore e menaxheriale.

Lidhur me këtë, në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se po përgatitet plani për adresimin e defekteve.

“Nga Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së është formuar grupi punues, i cili në bashkëpunim edhe me kompaninë, e cila ka bërë Studimin e Fizibilitetit, kanë draftuar Dokumentin Strategjik së bashku me Planin e veprimit trevjeçar për funksionalizimin e këtij studimi”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.

Sistemi i informimit Shëndetësor pati nisur të zbatohej qysh më 2010 dhe duhej të përfundonte më 2020, porse ende nuk është finalizuar.