Brenda pak javësh, Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në dy raste të kurdisjes së tenderëve, kanë vlerësuar ekspertizat e Bankës Botërore, në të cilat ka siguruar qasje KOHA. Në një tender, që kishte të bënte me pajisje laboratorike në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kjo organizatë ka konstatuar se ka pasur përshtatje kriteresh. Të njëjtën e ka theksuar tani për tenderin që ka të bëjë me mirëmbajtjen e pajisjeve harduerike të Sistemit Informativ Shëndetësor
Një tjetër tender në shëndetësi është përgatitur për t’iu përshtatur vetëm një kompanie. Servisimi i pajisjeve që lidhën me Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) është konstatuar që ka pasur përpjekje që të bëhet me kurdisje.
Banka Botërore përmes një ekspertize, ka konstatuar që komisioni që ka përcaktuar kriteret e tenderit me titull “Mirëmbajtja e 70% të Harduerit të Sistemit të Informimit Shëndetësor për institucionet shëndetësore” është bërë në atë mënyrë që të kufizohet konkurrenca. Ky tender kishte vlerë më shumë së 700 mijë euro.
Ekspertiza, të cilën e ka siguruar KOHA, thotë se kriteri që kompania fituese duhet të ketë projekte të natyrës komplekse me kompaninë që ka furnizuar Ministrinë e Shëndetësisë me pajisjet harduerike, është kriter i panevojshëm kufizues. Nëse asnjë kompani tjetër, përveç asaj që ka projekte me kompaninë furnizuese, nuk mund të mirëmbajë këto pajisje, atëherë, sipas tyre, tenderi nuk duhet të jetë i hapur, por vetëm me një operator.
“Një kërkesë e tillë duhet të shoqërohet me një analizë tregu që tregon se të paktën dy operatorë ekonomikë nga tregu vendës mund ta përmbushin këtë kriter. Përndryshe, kjo lejon që vetëm një operator ekonomik të jetë në gjendje të ofrojë – ai që ofron mirëmbajtje të certifikuar të Dell EMC Zero Client. Nëse MSH-ja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ketë mirëmbajtje vetëm me një kompani, ndoshta me atë që ka dorëzuar harduerin, atëherë kjo duhet të justifikohet për një prokurim me një burim të vetëm dhe të jetë e dukshme në dokumentin e tenderit”, thuhet në ekspertizën e Bankës Botërore të cilën e ka KOHA.
Një pikë tjetër të dosjes së tenderit, ekspertiza e Bankës Botërore e cilëson si të pasens.
“Për zgjatjen e garancisë 3-vjeçare: Ne nuk shohim se si një firmë e re mund të zgjasë garancinë 3-vjeçare të harduerit dhe shërbimit. Firma që fiton kontratën nuk mund ta bëjë këtë. Kjo është për firmën origjinale që e shiti dhe instaloi ato lloj pajisjesh. Për më tepër, nëse një kompani e re punon në atë pajisje, garancia origjinale humb. Pra, nëse garancia origjinale nuk ka skaduar ende, MSH-ja duhet të presë derisa të skadojë për të hapur më pas një proces tenderimi ose të bëjë një kontraktim të drejtpërdrejtë me të njëjtin operator nëse nuk dëshironi të humbni garancinë”, thuhet në të njëjtin dokument.
Në një arsyetim të gjatë kanë sqaruar se si ka shkuar procedura.
“Tenderi është anuluar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë institucion nuk kanë dhënë detaje se çfarë do të ndodhë me zyrtarët që janë përfshirë në përshtatje të kritereve të tenderit.
Anulimi i aktivitetit është kërkuar me shkrim nga ZKA-Sekretari i Përgjithshëm, pas shqyrtimit të lëndës në fazën para nënshkrimit të kontratës. Ne bazë te kërkesës se ZKA, është dhënë ekspertizë nga ekspertë te Bankës Botërore në Kosovë dhe bazuar në gjetjet e tyre, Sekretari i Përgjithshëm ka refuzuar nënshkrimin e kontratës dhe ka kërkuar nga ZPP ritenderimin e këtij aktiviteti”, thuhet aty.
Ata kanë përfolur edhe gjetjet e ekspertizës për këtë çështje.
“ Bazuar në ekspertizën e BB, nga ZKA është konstatuar se disa kërkesa kanë qenë në mënyrë të panevojshme kufizuese, duke marrë parasysh edhe faktin se kemi pranuar vetëm një ofertues, ndërkohë që ka pasur shumë OE që e kanë shkarkuar dosjen e tenderit në prokurim.”, thuhet aty.
Përgjegjësinë ia kanë hedhur njësisë kërkuese që në këtë rast është njësia e Sistemit Informativ Shëndetësor.
“Aktiviteti është tenderuar ne bazë te specifikave dhe kritereve të kërkuara nga Njësia e kërkesës, duke mos ndryshuar asnjë kriter, meqenëse aktiviteti është i natyrës profesionale. AK-MSh gjatë ritenderimit te këtij AP, do t’i rishikojë kërkesat e tenderit, në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe të mos ketë kufizime.”, është thënë nga ky institucion.
Ministria e Shëndetësisë është pyetur se çfarë masa do të ndërmerren pas konstatimit që zyrtarët e saj kanë favorizuar një biznes, por nuk kanë dhënë përgjigje të qartë.
“Në këtë moment nuk mund të flasim për integritet të zyrtarëve, meqenëse akoma jemi në proces.”, thuhet në përgjigjën e këtij institucioni.
Për detaje të tjera kanë thënë se me ekspertizën dhe dyshimet për kurdisje në këtë tender do ta pyesin Bankën Botërore, e cila është hartuese e ekspertizës.
“Ekspertiza është bërë nga BB dhe është ekspertizë e brendshme, kështu që lidhur me qasje në këtë ekspertizë ne do ta konsultojmë BB.”, thuhet në përgjigjën e Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
Banka Botërore nuk është përgjigjur në lidhje me këtë çështje.
Ky projekt kishte për qëllim mirëmbajtjen 3-vjeçare harduerike dhe shërbimit të infrastrukturës të SISh -it (pjesës aktive dhe pasive) e shtrirë në 70% të institucioneve shëndetësore qendrën e të dhënave në ASHI, Qendrat e Kujdesit Shëndetësor Primare (22 komuna), sekondare (5 komuna) dhe terciare (1 komunë).
Sistemi Informativ Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor. Për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë (MSH), në vitin 2011, ka provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza.
Dy fazat e para planifikohej të përfshinin pilotimin dhe implementimin e sistemit në 30 për qind të territorit të vendit dhe vlerësimin e pilotimit në fund të vitit 2014.
Ndërsa, faza e tretë përfshinte implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit, me synim që të realizohej deri në vitin 2020. Aktualisht nuk është përfunduar krejtësisht as faza e parë.
Ky është tenderi i dytë brenda pak javësh që Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar, për shkak që ekspertizat e Bankës Botërore kanë konstatuar kurdisje të kushteve në favor të kompanive private.