Përveç shkallës së lart të ndotjes së ajrit, banorët e Prishtinës përballen edhe me rrugë shumë të papastra. Sipas mjekëve, e gjithë kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të të sëmurëve të popullatës.
Banorët kërkojnë shpjegim nga zyrtarët komunalë lidhur me shkallën e lartë të papastërtisë. Por me gjithë insistimin tonë që të marrim një përgjigjeje, zyrtarët e komunës thanë se nuk kanë kohë të flasin për këtë çështje, me arsyetimin se janë tepër të zënë, transmeton rtk.
Balta dhe pluhuri nëpër rrugët e Prishtinës është bërë përditshmëri, ku askush nuk merret me këtë problem.
Kështu thotë Ali Kelmendi, banor i lagjes “Ulpiana” në Prishtinë. Ai thotë se është taksapagues i rregullt, përfshirë edhe shërbimet komunale dhe nuk e meriton të jetojë në një ambient të tillë.
"S’po di si të tregoj, jo vetëm që kisha kërkuar llogari, po edhe i kisha dënuar, po s’po kam mekanizma. Në cilën lagje banon? Në “Ulpian”!, tha ai.
“Në fontanë puset si kanë pastruar qe 5-6 vjet edhe aty mblidhet uji edhe vije era ...e paramendo, jam taksapagues i rregullt, e nëse nuk i paguan, menjëherë ta llogarisin përqindjen.”
Drita Musliu tha se nuk e mbanë mend kur rrugët e Prishtinës janë pastruar me ujë gjatë orëve të vonshme të natës, ashtu siç ka qenë praktikë vite më parë.
"Në cilën lagje banon? Banoj të Rruga “UÇK-së”, te “Qafa” . Aty është katastrofë prej papastërtisë, prej mbeturinave . Eee.. këtu është ndërgjegjja edhe e qytetarëve por edhe e komunës, dy palët duhet pasur kujdes lidhur me pastërtinë, sepse po flitet për sëmundje, e sëmundjet janë të gatshme kur kemi papastërti", tha ajo.
Mosmirëmbajtja e rrugëve mund të shkaktojë probleme shëndetësore të qytetarët, e sidomos te fëmijët, tha infektologu Arben Vishaj.
"Ne jemi duke e vërejtur këtë dukuri që po ndodh në kryeqytetin tonë, ku rrugët nuk janë duke u pastruar me ujë dhe për këtë arsye pasi që të ngritën pak temperaturat, vjen krijimi i pluhurit, i cili ka efekt jo pozitiv për shëndetin e popullatës, e sidomos te fëmijët", tha ai.
Lidhur me këtë problem, Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, por përgjigja e tyre ishte se janë të zënë dhe se nuk kanë kohë të flasin për këtë temë.