Arbëri

Ballafaqimi i Bajram Ilazit me racizmin nisi në shkollë të mesme

Me diskriminimin racor ishte ballafaquar për të parën herë në shkollën e mesme.

Bajram Ilazi, që është aktivist për të drejtat e komuniteteve, thotë se me racizmin ishte përballur me të dalë nga vendlindja e tij, Shtimja.

Fillimisht nga shokët e klasës e më pastaj edhe nga vetë mësimdhënësit, raporton KOHA.

“Momentin që kam dalë nga fshati im e kam kuptuar se çka është racizmi dhe diskriminimi. Ka qenë në ditën e parë ku disa nxënës kanë thënë nuk e di a kemi ‘magjup’ në klasën tonë dhe jam skuqë”, ka thënë Bajram Ilazi.

Ai thotë se racizmi është prezent edhe në institucionet më të larta të vendit.

Këtë e ka përjetuar edhe në universitet.

“Jam ndier keq kur gjatë studimeve universitare profesori që duhet të jetë model, ka përdorur termin ‘magjup’. Madje ka pasur rast kur profesori e ka marrë ID-në time dhe ka thënë pse ju Bajramat jeni kaq të zi’”, ka shtuar ai.

Edhe punësimi është sfidë për këto komunitete.

Por, këtë fenomen Ilazi thotë se fatmirësisht e lufton edhe komuniteti shumicë, sidomos aktivistët për të drejtat e njeriut.

“Kushtetuta dhe ligjet kanë masa afirmative për komunitetet, por nëse shohim punësimet, vërejmë se ende ekziston diskriminim qoftë në punësim dhe çështje të tjera”, ka shtuar Ilazi.

Megjithatë, sipas tij, institucionet e vendit komunitetin serb e favorizojnë më shumë, duke i neglizhuar komunitetet e tjera.