Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë votuar më 9 shkurt që vendi të dërgohet sërish në zgjedhje.
Në deklarimin për media pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Bajrami ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje ta zhbllokojë situatën, jo e tyre.
“Qytetarët e vendit nuk kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta dërguar vendin sërish në zgjedhje. Nuk është përgjegjësi e jona për ta zhbllokuar situatën, por e tyre. Nuk ka forcë politike që e imponon votën e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se zgjedhjet e mbajtura në shkurt kanë treguar se qytetarët nuk i kanë dhënë askujt shumicën absolute për t’i formuar institucionet si parti e vetme.
“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun, por as për ndonjë kandidat tjetër. Zgjedhjet e 9 shkurtit e kanë treguar qartë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk i kanë dhënë askujt shumicën absolute për të formuar si parti e vetme institucionet e Kosovës edhe për shkak të dështimeve në 4-vjecarin e kaluar. LVV-ja insiston t’i marrë të gjitha institucionet, të gjitha pozitat pa e pasur shumicën dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Është dështim vetëm i tyre nëse këta nuk kanë lënë hapësirë bashkëpunimi me asnjë parti tjetër politike dhe kjo është për shkak të shkeljes së ligjeve, të Kushtetutës dhe sjelljes së tyre shumë arrogante”, ka thënë ajo.
