Profesor i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, i cili ishte anëtar i delegacionit të Kosovës në Rambuje, ka ndarë të enjten disa kujtime me ish-Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, gjatë këtyre bisedimeve.
Në një intervistë për 60 Minuta të KTV-së, Bajrami ka thënë se Albright e kishte lutur që të ndihmojë kryesuesin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit që të mos vonojnë me nënshkrimin e tyre në këtë Konferencë të Paqes, në mënyrë që t’i lirohet rruga NATO-s të zhvillojë fushatën e bombardimeve në Beograd.
“Ajo e ka ndihmuar delegacionin e Kosovës në Rambuje, është familjarizuar me ne duke na lutur që ta nënshkruajmë marrëveshjen për t’i dhënë mundësi NATO-s që zhvillojë fushatën e bombardimeve. Në takimin që e kemi zhvilluar, Albright më është lutur që të ndihmojë kryesuesin e delegacionit që të mos vonojë nënshkrimin, sepse NATO-ja ishte në gjendje gatishmërie dhe se çdo gjë ishte gati për të zhvilluar fushatën e bombardimeve”, ka thënë ai.
Bajrami më tej ka cituar edhe fjalinë e saj të famshme kur ka shkuar në sallën ku po qëndronte delegacioni i Kosovës, të cilit i është drejtuar duke thënë “na ndihmoni që ne të ju ndihmojmë që ju të jeni zot të tokës suaj dhe në tokën tuaj t’i ngulitni rrënjët aq thellë, saqë asnjë armik me shekuj të mos ju lëvizë nga trojet e juaja etnike”.
Bajrami më tej e ka kujtuar Albrightin si një grua që ishte e përkushtuar me tërë qenien që të ndihmonte delegacionin e Kosovës dhe se asnjëherë nuk ka pushuar të merrej me luftën në Kosovë.
“Ka qenë vendimtare, sidomos te z. Thaçi që ka pasur hezitime për shkak të kërkesës për shpërbërje të UÇK-së dhe ka këmbëngulur që të sigurohet në një formë ekzistenca e UÇK-së, por në momentin e fundit ajo dha një premtim të fuqishëm që tre vjet pas Rambujesë mund të mbahet një referendum ku do të vendoset për pavarësinë. Ajo nuk nervozohej asnjëherë me neve edhe pse kishte momente kur mund të bëhej nervoz”, ka shtuar ai.
Vdekjen e Albrightit, Bajrami e ka cilësuar humbje të madhe jo vetëm për Amerikën, por edhe për Kosovën, që sipas tij, ka humbur një mikeshë që punoi për vendin deri në frymën e saj të fundit.
“Po të mbahej sot ajo konferencë, nuk e di se çfarë do të bëhej sepse ka ndërruar edhe gjeopolitika”, ka përfunduar ai.