Ish-ministrja e Financave, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ia ka parashtruar dy pyetje ministrit aktual të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit të mërkurën ka njoftuar se kush do mund të heqë dorë nga 100 eurot e ndara si shtesa për fëmijë e pensionistë.
Bajrami ka thënë se në vend të 100 eurove shtesë, qytetarëve mund t’u paguhen faturat e rrymës të cilët “në këto ditë të ftohta s’po kanë rrymë nga 8 orë”.
“Dy pyetje për Hekuran Muratin: 1. A e kanë mundësinë qytetarët mos me i pagu faturat e rrymës, pasi që në këto ditë të ftohta po përballen me nga 8 orë reduktime? Dhe 2. A e kanë pasur qytetarët mundësinë mos me pagu 50% më shumë TVSH si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve?” ka pyetur ajo.
Bajrami më tej ka shkruar se ndarja e këtyre shtesave po bëhet për shkak të dështimit të Muratit.
“Dhe mos e trajto buxhetin e shtetit si me qenë buxheti yt personal, se nuk je duke bërë asgjë të jashtëzakonshme. Ti thjesht ke mbledhur tatime e taksa për ta bërë jetën e qytetarëve më të mirë, dhe meqë ke dështuar, tash po ua kthen qytetarëve një pjesë të parave të tyre. Kaq”, ka shkruar ajo në Facebook.