Arbëri

Bajrami: Kushdo që të jetë mandatar, Vakat-i do ta përkrahë formimin e qeverisë

Çerim Bajrami nga Koalicioni Vakat ka thënë se do ta përkrahin formimin e Qeverisë së re, kushdo që do të jetë mandatar i saj. 

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, ai ka thënë se Vakat-i nuk do të jetë pengesë të formohet qeveria, por gjithmonë duke u realizuar kërkesat e tyre. 

“Më duhet ta përkujtoj që ne kemi pasur edhe me PAN-in edhe me kryeministrin Hoti atëkohë marrëveshje të nënshkruar, me kryeministrin Albin Kurti siç e dini ai ka dalë publikisht dhe nuk e ka dashur nënshkrimin me përfaqësues nga Lista Serbe e po ashtu të njëjtin qëndrim e ka pasur edhe ndaj nesh. Ne kemi propozuar marrëveshje me shkrim, ai nuk ka dashur. Tani ka pyetur se çfarë kërkojnë. Në këtë bisedë janë shprehur shqetësimet për përmirësim të gjendjes së arsimit në gjuhën boshnjake, ku ka shumë probleme dhe duhet të zgjidhen në kuadër të Ministrisë së Arsimit. Ka qenë në parim edhe biseda për pjesëmarrje në Qeveri. Përgjigja ka qenë pozitive, por ka thënë se pozitat në Qeveri ende nuk i ka diskutuar me askënd. Tani mbetet të shihet në vijim. Prej këtu nënkuptohet se Vakat do ta përkrahë formimin e Qeverisë, secilin mandatar prej komunitetit shqiptar që e formon shumicën. Nuk jemi pengesë të formohet qeveria me Vetëvendosjen, por duke u realizuar kërkesat tona me shkrim. Komunitetet nuk kanë luksin të jenë jashtë pjesës së tyre, vendet e tyre në Kuvend nuk janë për të qëndruar në opozitë. Marrja pjesë në pushtet na takon”, ka thënë Bajrami. 

Derisa ka folur për kërkesat e komunitetit boshnjak për formimin e komunave me shumicë boshnjake, si ajo e Zhupës, ai ka thënë se asnjë qeveri e mëhershme nuk i ka refuzuar këto kërkesa, por nuk i kanë përmbushur premtimet. 

“Me kërkesën tonë, jo atë të gabueshmen të Duda Baljes (për formim të komunave boshnjake, as nga Qeveria as nga kryeministri e as ndonjë politikan nuk na kanë thënë jo, por gjithmonë kanë thënë të presim. Nuk është koha, në mandatin e ardhshëm, gjithmonë kanë qenë vetëm premtime që deri më sot nuk janë përmbushur. Është kërkesë në vazhdimësi. Duhet sqaruar që ne kërkojmë komuna boshnjake me shumicë boshnjake, jo absolute. Është rajoni i Zhupës në komunën e Prizrenit. Këtu janë shumica boshnjakë, por ka edhe shqiptarë dhe komunitet serb. Shqiptarët e Zhupës asnjëherë nuk kanë thënë se janë kundër formimit të komunës”, ka thënë ai.