Arbëri

Bajrami: I kemi fyer praktikantët kur i krahasuam me Qeverinë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur fyerje për praktikantët, termin “Qeveri e praktikantëve” ndaj Qeverisë Kurti.

Në një shkrim në Facebook, ish-ministrja e Arsimit në Qeverinë Kurti I ka kritikuar qeverinë aktuale për moszgjidhje të ngërçit me grevat. Ajo ka krahasuar shtatorin e sivjetmë me marsin e 2020-s kur vendi u mbyll për shkak të pandemisë.

“Me 11 mars 2020, me vendim të Qeverisë u mbyllën shkollat në tërë vendin, për shkak të pandemisë COVID-19. Me 23 mars d.m.th. vetëm pas 12 ditëve, filloi e-mësimi në RTK. Tani në kushte normale, që një muaj nuk mbahet mësim dhe Qeveria, MASHTI nuk marrin asnjë përgjegjësi. Për popullistët është më rëndësi që Kurti e ‘gjunjëzoj’ Jasharajn. Çka me miliona orë mësimi të humbura për plot 318 mijë fëmijë të këtij vendi? I kemi fyer praktikantët kur ju kemi quajtur ‘Qeveri e praktikantëve’, praktikantët megjithatë punojnë diçka”, ka thënë Bajrami.

Që nga 25 gushti sektori publik është në grevë në kërkim të 100 eurove shtesa në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, që tash është në konsultim publik. Në grevë janë edhe mësimdhënësit. Qeveria ka ofruar nga 50 euro shtesa për katër muaj, në kuadër të Pakos për ndihmë ndaj inflacionit. Palët s’kanë arritur gjuhën e pajtimit. Mbi 300 mijë nxënës kanë humbur tashmë një muaj mësim.