Arbëri

Bajrami e quan Muratin propagandues: Në Qeveri të matet puna, jo fjalët

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami - Ministri aktual i Financave, Hekuran Murati

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit aktual, Hekuran Murati, i cili ka paralajmëruar “boom” të investimeve kapitale.

Ajo ka thënë se ministri po bën propagandë me shifra të pasakta. 

“Edhe një herë sipas ministrisë që ti drejton - Ministrisë së Financave, investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të njëjta me vitin 2017 - 349 milionë euro, vetëm se në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qenë 1.8 miliardë euro e në vitin 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro dhe inflacioni në 3 vite të qeverisë tuaj është 23%”, ka shkruar ajo në Facebook. 

Ajo më tej ka rekomanduar që në Qeveri “të matet puna, jo fjalët”.

“Po krenohesh me investimet kapitale të komunave, të cilat në vitin 2023 janë 205 milionë euro dhe nga 2017 janë dyfishuar, por ju për komuna asnjë meritë nuk e keni, se veç pengesa ju ke bë si me bllokim të mjeteve vetanake, si me tatim në pronë. Mjaft me propagandë se s'po të shitet. Në qeveri të matët puna, jo fjalët”, ka shkruar më tej Bajrami. 

Murati ka thënë të dielën se bazuar në raportin vjetor, shihet se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara.