Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajrami akuzon Kurtin se po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve

Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të procesit të formimit të institucioneve dhe për shtyrjen e vazhdueshme të vendit drejt zgjedhjeve të reja.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se Kosova, pas tri palë zgjedhjeve, rrezikon të rikthehet sërish në proces zgjedhor, pa arritur që të krijojë institucione funksionale dhe legjitime.

Ajo ka ironizuar me arsyetimet e përdorura nga pushteti gjatë kësaj periudhe, duke përmendur fillimisht deklaratën se “s’bën qerrja para kalit”, ndërsa më pas pretendimin se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje politike.

Sipas Bajramit, argumenti se moskonstituimi i Kuvendit po bëhet për të shmangur zgjedhjet është kontradiktor.

“Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka pretenduar se, gjatë kësaj periudhe, “nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar”.

Në reagimin e saj, Bajrami i ka drejtuar disa pyetje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar të dijë se cilat janë arsyet që, sipas saj, po e mbajnë vendin në një cikël të përsëritur zgjedhor.

Edhe Bajrami: Kurti po na çon në zgjedhje Arbëri Bajrami: Kurti po na çon në zgjedhje

“Çka po don Albin Kurti? Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve? Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?”, ka shkruar ajo.

Kurti dhe Lumir Abdixhiku, kryetari i partisë ku bën pjesë edhe Bajrami, kanë zhvilluar një takim të martën pas së cilit kanë shprehur gatishmëri për të krijuar stabilitet institucional.

Megjithatë, ata nuk përmenden emra të përveçëm pas takimit. Por, të dy janë shprehur se kanë diskutuar për profilin dhe kriteret që duhet t’i përmbushë një kandidat i propozuar për president.