Arbëri

Bajraktari për akuzën e re ndaj Thaçit: E pakuptimtë, Prokuroria po tenton të justifikohet

Avokati Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se aktakuza e re e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS)ndaj Hashim Thaçit është e pakuptimtë, pasi sipas tij, një person në paraburgim nuk mund të akuzohet për pengim të drejtësisë.

Në një intervistë në “Interaktiv” të premten, Bajraktari ka theksuar se procesi në Gjykatën Speciale është shoqëruar me një varg parregullsish.

“Kjo akuzë për një person që është i privuar nga liria në bindjen time është totalisht e pakuptimtë. Mbetet të shihet në fazat e mëtejshme të procesit nëse Prokuroria arrin ta argumentojë. Është stërkeq në masë të konsiderueshme procesi në përgjithësi. Ka mungesë të theksuar të transparencës... siç është rasti kur njëri nga anëtarët e trupit gjykues është përfshirë në natyrën e pyetjeve të ndaluara, kur i drejtohej me pyetje njëri nga dëshmitarët: ‘le të supozojmë që në një x zonë është kryer një krim, kush është përgjegjës për këtë?’ Këto pyetje janë të ndaluara. Shpërfaqja e deklaratave të dëshmitarëve që kanë thënë se u janë shfaqur gjëra që nuk kanë thënë. Të gjitha këto kanë rezultuar me një varg parregullsish për këtë proces”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi i ZPS-së është të justifikohet se kinse po pengohet për të vendosë drejtësi.

“Prokuroria është në raport të disfavorshëm me palën mbrojtëse. Qëllimi i Prokurorisë është të justifikohet që nuk po e arrin me u vendos drejtësia me arsyetimin se po ka pengim në dëshmitarë dhe involvim të qarqeve të caktuara. Këto nuk qëndrojnë. Pala mbrojtëse ka arritur me sukses të kundërargumentojë ndaj akuzave”, ka deklaruar Bajraktari.

Gjykata Speciale në Hagë të premten ka ngritur akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Tani ai akuzohet edhe për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë. Për të njëjtat vepra, siç ka njoftuar Specialja të premten, janë arrestuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu. Ndërsa për Hajredin Kuçi është lëshuar fletëthirrje për paraqitje.