Avokati Ardian Bajraktari derisa ka folur për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, ka thënë se mënyra e financimit të grupit sulmues është mësim për organet e sigurisë.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Bajraktari a thënë se organet e sigurisë do të duhej të jenë më vigjilente për parandalimin e mundësisë që përmes parave të taksapaguesve të Kosovës, të financohen indirekt aktivitete të tilla.
“Organet e sigurisë, përfshirë Njësinë për Inteligjencë Financiare dhe organet e tjera të sigurisë do të duhej të ishin më vigjilente që të parandalonin mundësinë që përmes parave të taksapaguesve të këtij vendi indirekt të financohen aktivitete të tilla. Prandaj, vlerësoj që së paku të jetë ky mësim për raste të tjera që të parandalohet mundësia që kompanitë e tilla që në një formë apo tjetër janë të lidhura me grupe kriminale, terroriste, çfarëdo qofshin ato, të pamundësohet që të fitojnë para nga autoritetet publike”, ka thënë ai.
Bajraktari është shprehur optimist që gjykata do të bindet se kjo në aktakuzën e prokurorisë hyn një kategori veprash penale nga më të rëndat që parashihen në Kodin Penal.
“Prokuroria e ka kryer punën e saj brenda afatit optimal. Shpresoj që prokurori i çështjet t’i ketë marrë të gjitha veprimet për ta bindur gjykatën se procesi i ngritjes së aktakuzës për një kategori veprash të rënda, siç janë kryerja e veprave terroriste, pastaj sulm kundër rendit kushtetues me qëllim të aneksimit të pjesës së caktuar të territorit, pastaj kemi ndihmë në kryerjen e veprës terroriste, pastaj shpëlarje të parave, që të gjitha përbëjnë veprat më të rënda që parashihen në Kodin Penal. Është e rëndësishme mbi bazën e asaj se çfarë ofrohen si prova për ta bindur gjykatën se ata kanë kryer veprime inkriminuese. Jam optimist që ekipi ka arritur mjaftueshëm t’i shkoqisë, t’i ekzaminojë këto prova dhe do ta kalojë filtrin e gjykatës”, ka shtuar ai.