Arbëri

Bajqinovci: Serbia po i trajnon 400 ekstremistë në Kopaonik

Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Serbia është duke i trajnuar 400 ekstremistë në Kopaonik. Sipas tij, kjo informatë është thënë nga shërbime të huaja mike të Kosovës. 

Ai e ka quajtur standard të dyfishtë qëndrimin e Bashkimit Evropian për vënien e masave ndaj Kosovës për çështjen e kryetarëve të komunave në veri dhe mossanksionimin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë.

“Është standard i dyfishtë. Vetë fakti që BE-ja nuk e ka gjykuar përpos deklarativisht, një rezolute të BE-së dhe s’ka pasur pasoja ndaj Serbisë, sot Serbia po i trajnon 400 ekstremistë në Kopaonik. E thonë edhe shërbimet e huaja mike tonat. S’është me rëndësi referenca. Shërbimet mike. Mendoj se informacionet, që s’i demanton as Serbia, janë që 400 ekstremistë po trajnohen në Kopaonik sepse s’ka pasur pasoja në Banjskë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të enjten.

Ai ka dhënë detaje edhe nga sulmi i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Siç ka thënë Bajqinovci, Policia është sulmuar me mbi 25 minahedhës, e mbi 20 herë me zolla dhe armatim të rëndë. 

“Dhe në fund pati vetëm dënim deklarativ përmes një rezolute së Parlamentit Evropian. Prapë Serbia pas kësaj pretendon ta sulmojë Kosovën sepse nuk ka pasoja e ne kemi këto masat që janë vendosur edhe pse kemi kryer kushtin”, ka thënë ai.

Bajqinovci është shprehur i bindur se Kosova do të pranohet në Këshill të Evropës në votimin në Komitetin e Ministrave. Ai ka thënë se nëse Kosovës i kushtëzohet anëtarësimi me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo do të ishte e padrejtë.