Arbëri

Absurdi me komunat e vogla, Salihu: Parteshi ka 27 mijë € të hyra vetanake e për paga më 2025 i duhen 1.4 mln €

Bekim Salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka deklaruar se krijimi i komunave të reja do ta pamundësonte zhvillimin në Kosovë, duke shtuar se paratë e granteve së Qeverisë do të shkonin për paga.

Duke folur për komunat, ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se Komuna e Parteshit nga buxheti i 2025-s i ka paraparë 1.4 milionë euro për paga, e vetëm 40.000 euro për investime kapitale.

“...Të hyrat vetanake për të ajnë 27.000 euro. Kjo bëhet barrë për Qeverinë dhe pamundësohet lokaliteti për zhvillim. Nuk mundësohet zhvillimi me krijimin e komunave, por ajo e pamundëson atë. Paratë shkojnë për pagat”, ka thënë Salihu.


Luzha: Kosova nuk është shtet multietnik në kuptimin e përqindjes së komuniteteve

Aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha, ka thënë se Kosova nuk është shtet multietnik në kuptimin e përqindjes së komuniteteve. 

Sipas saj, në marrëdhëniet politike nuk definohet si shtet multietnik që komuniteti joshumicë të jetë hisedarë në vendimmarrje të plotë. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Luzha ka thënë se nevojitet të integrohen dy qasje. 

“Po të ishte Serbia një shtet demokratik që e njeh Kosovën, e njeh komunitetin e vet që është aty në Kosovë dhe angazhohet për mirëqenien e tij, por duke pranuar që ata janë qytetarë, minoritete në Kosovë, ne jemi detyruar ta etnizojmë shtetin tonë. Kosova nuk është shtet ‘multientik’ në kuptimin e përqindjeve, sepse ka një shumicë të konsiderueshme shqiptare, diku 90 për qind dhe diku rreth 10 apo 12 për qind minoritete. Kjo në marrëdhëniet politike nuk e definon si një shtet multietnik që të jenë hisedarë në vendimmarrje të plotë, komplet. Këtu është dashur të integrohen dy qasje. E para, një lloj ndarje e pushtetit mes shqiptarëve dhe serbëve për shkak të problemit, por pa qenë hisedarë 50-50 dhe qasja tjetër që është shumë e pranueshme dhe e mirëseardhur për respektim të të drejtave të komuniteteve”, ka thënë ajo.


Bajmak: Boshnjakët i synojnë tri komuna, por aktualisht vetëm Reçani i plotëson kushtet

Vetëm Reçani plotëson kushtet që të bëhet komunë në vete, sipas Musa Bajmakut, aktivist politik nga komuniteti boshnjak.

Ai ka thënë në “Konfront” të KTV-së të enjten se boshnjakët si komunitet i synojnë tri komuna.

 “Janë kërkesa jo vetëm te komuna, janë kërkesa të kamotshme. Kërkesa aktuale është vetëqeverisja lokale. Ne e kemi të garantuar me Kushtetutë edhe me ligj. Vetëqeverisja lokale garantohet nëse kemi mbi 75 për qind të komunitetit të caktuar. Në këtë moment komuniteti boshnjak është në rajonin e Zhupës në qytetin e Prizrenit. Reçani është fshat më i madh, afër në Prizren. Duhet të caktohet diçka sepse komuniteti boshnjak nuk e do komunën boshnjake, sepse s’duam të bëjmë diçka që bën komunitetit serb, ne nuk duam ‘Zajednicë’. S’është vetëm një komunë, por janë tri janë Vitomirica, Dragashi dhe Reçani. Të tria kërkojnë komunë, por problemi është se te Vitomirica nuk plotëson kushtet prej 75 për qind. Por në Zhupë ka edhe shqiptarë, ka edhe boshnjakë, edhe turq”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vetëqeverisja do t’i garantonte ekzistencë boshnjakëve.

“Ne e kemi atë fuqi që të vetëqeverisim lokalisht. Mbijetojmë financiarisht, me edukim, me turizëm”, ka thënë ai tek është ankuar për mungesë mbështetje nga qeveria apo komuna.

Kërkesa për komunë të komunitetit boshnjak është shtruar nga deputetja Duda Balje e cila ka kushtëzuar me këtë komunë mbështetjen për qeverinë e re.