Arbëri

Bahtiri u thotë diplomatëve austriakë se Rakiqi po e pengon hapjen e urës mbi Ibër

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur në një takim Thomas Muhlmann, udhëheqës i Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe Ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler, me të cilët ka biseduar për gjendjen dhe zhvillimet aktuale në komunën e Mitrovicës dhe në vend.

Fillimisht Muhlmanni i tha Bahtirit se ndjen kënaqësi të madhe që gjendet përsëri në Kosovë dhe sidomos në Mitrovicë, duke thënë në vazhdim se qëllimi i kësaj vizite është që të njihet më mirë me situatën e përgjithshme në Mitrovicë dhe që të marrë edhe opinionet e kryetarit Bahtiri për zhvillimet këtu dhe në shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Bahtiri tha se Austria është një shtet mik i Kosovës që ka dhënë vazhdimisht kontribut dhe që ka mbështetur çështjen e Kosovës.

“Edhe unë jam shumë i interesuar për Kosovën dhe në veçanti për Mitrovicën, prandaj edhe kam ardhur këtu për të mësuar më shumë nga ju për situatën e përgjithshme dhe për zhvillimet e fundit”, tha ai.

Pasi iu dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, Bahtiri tha se qytetarët e Mitrovicës por edhe ata të shtetit të Kosovës janë shumë mirënjohës për angazhimin e shtetit të Austrisë për çështjen e Kosovës dhe për mbështetjen e pakursyer që ka dhënë në të gjitha proceset e zhvillimit të deritashëm të Kosovës.

Sa i përket situatës së përgjithshme në Komunën e Mitrovicës, Bahtiri u tha mysafirëve se ajo aktualisht është e qetë dhe pa probleme.

“Kur kam ardhur për herë të parë në krye të komunës në vitin 2013 Mitrovicën e kam gjetur me shumë tensione dhe probleme të mëdha. Ishin të evidentuara 9876 incidente të ndryshme, në shumë pika të qytetit barrikada dhe tela gjemborë, ura kryesore mbi lumin Ibër ishte e mbuluar me zhavorr, rreth 15,000 mijë të zhvendosur nuk lejoheshin të ktheheshin tek pronat e tyre në veri, lëvizja dhe qarkullimi nuk ishin as për së afërmi çfarë do të duhej të jenë. Mirëpo, ne u mobilizuam dhe u angazhuam maksimalisht për të ndryshuar këtë gjendje dhe falë para së gjithash maturisë të vetë qytetarëve të përkatësive etnike i tejkaluam të gjitha ato probleme të rënda dhe Mitrovicën e shndërruam në një ndër qytetet më të sigurta në Kosovë ku incidentet ndëretnike kanë rënë në minimum dhe për katër vjet janë shënuar vetëm 7 sosh”, tha ai.

Bahtiri, në vazhdim mysafirët nga Austria i njoftoi edhe me situatën rreth realizmit të projektit për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, duke thënë që të gjitha punët kanë përfunduar, por që është kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ai që po e pengon lëvizjen e qarkullimin nëpër urë.

Për këtë arsye, Bahtiri kërkoi nga mysafirët por edhe nga përfaqësuesit e shteteve tjera në Kosovë dhe më gjerë që të angazhohen për lëvizjen në qarkullim sa më të shpejtë të urës me qëllim, që t’u iket situatave të pakëndshme dhe tensioneve të panevojshme eventuale, ngase qytetarët kanë filluar të irritohen me këtë gjendje përreth urës.

Mysafirët nga Austria i njoftoi edhe për kërkesën e papranueshme të komunës së Mitrovicës së Veriut përkatësisht të kryetarit të saj Goran Rakiq për të ndryshuar kufijtë administrativë të komunës, gjë që do të thotë edhe planin e ndërmjetësuesit Marti Ahtisari.

“Goran Rakiqi po kërkon që Suhodolli i Epërm, i cili është i populluar me banorë serbë dhe shqiptarë, t’i bashkëngjitet komunës së Mitrovicës Veriore, gjë që për ne është e papranueshme dhe nuk mund të ndodh. Ky fshat me planin e Ahtisarit ka mbetur pjesë e komunës së Mitrovicës Jugore dhe kështu do të mbetet. Unë jam i gatshëm që marrëveshjen për kufijtë administrativë midis dy komunave ta nënshkruajë që sot, andaj e ftoj edhe Rakiqin ta bëjë këtë gjë me qëllim që t’i shmangim tensionet dhe t’i stabilizojmë akoma raportet midis dy komunave dhe qytetarëve të tyre”, tha Bahtiri.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në vend, Bahtri u tha mysafirëve se është për dialog midis dy shteteve,por që kufijtë e Kosovës nuk mund të ndryshohen dhe kjo është edhe kërkesë e vet qytetarëve të Republikës së Kosovës.