Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ashtu si për rastin e Astrit Deharit, ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare edhe për rastin e 17 vjeçarit Sead Alushi i cili pati humbur jetën në vitin 2015.
Ai ka thënë se këtë rast e kishte mbyllur një prokuror i EULEX-it, ani pse Bahtiri thotë se, në raportin e autopsisë kishte të dhëna që djaloshi kishte vdekur nga lëndime të marra në kokë.
Ai tutje thotë se, pas ekspertizës së institutit zviceran të publikuar sot ku konstatohet se Astrit Dehari është mbytur, institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin veprime efikase dhe konkrete për zbardhjen e kësaj vrasje.
“Arrestimi i tij ishte politik dhe këtu lind dyshimi i bazuar se edhe vrasja mund të jetë e paramenduar dhe përgatitur mirë, për të arritur qëllime të caktuara.Shteti i Kosovës siç ka kërkuar ekspertizë për këtë rast, duhet të kërkoj ekspertizë ndërkombëtare edhe për mbytjen e 17 vjeçarit Sead Alushi në lumin Ibër në vitin 2015, rast të cilin e kishte mbyllur një prokuror i EULEX-it, ani pse në raportin e autopsisë kishte te dhëna qe djaloshi kishte vdekur nga lëndime të marra në kokë”, ka thënë ai.
Bahtiri thotë se përfundimisht drejtësia duhet të vihet në vend dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar, pavarësisht kush janë ata.