I njohur dikur si “baba i tenderëve”, ish-shefi i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, e ka humbur betejën me Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë.
Ministria e Infrastrukturës muaj më parë e ka larguar Krasniqin nga Shërbimi Civil.
Kjo masë ishte marrë vetëm pasi mediat kanë bërë presion mbi ketë ministri, pasi Krasniqi ishte futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vendimin e Këshillit, që ka ardhur pas ankesës së Krasniqit, thuhet që Ministria e Infrastrukturës kishte bazë ligjore për largimin e Krasniqit.
“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave, pasi ka shqyrtuar provat që janë dorëzuar nga palët në procedurë, konstatoi se ankesa e ankuesit është e pabazuar”, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë.
Sipas Kolegjit të Këshillit, Ministria e Infrastrukturës pati të drejtë kur konstatoi që Krasniqi ia prish imazhin këtij institucioni.
“Duke u bazuar në këto dispozita ligjore, Kolegji i Këshillit sa i përket vendimit me numër protokolli 8961, të datës 22.11.2023, të Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, ka konstatuar se komisioni disiplinor në rastin e nxjerrjes së vendimit ka vepruar në pajtim me nenin 55, paragrafi 1, nenin 56, paragrafi 4, nënparagrafi 4.5, për rrjedhojë pretendimet ankimore të ankuesit janë të pabazuara”, thuhet tutje në vendim.
SHBA-ja në arsyetimin për vendosjen e Krasniqit në listën e sanksioneve pati thënë se ai ka qenë i përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në vendimin për sanksionim, Departamenti i Shtetit ka thënë se Krasniqi ka abuzuar postin e tij publik duke marrë ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit nga kompania “Eltoni”.
Për rastin për të cilin është sanksionuar Themelorja në Prishtinë e ka dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv, ndërsa pas ankimit në Apel dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht, por nuk i është ndaluar ushtrimi i funksionit publik.
Pas sanksionimit ai u suspendua nga pozita e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Megjithatë, më 15 nëntor u kthye përkohësisht në pozitën e drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.
E, pas raportimit të KOHËS për këtë çështje ai është përjashtuar nga shërbimi civil.
KOHA ka provuar ta kontaktojë Krasniqin, por ai nuk është përgjigjur.