Aksionet e shpeshtuara të Inspektoratit në Prishtinë, kanë përplasur këshilltarët komunalë të Vetëvendosjes me drejtorin Adonis Tahiri, bashkë me të cilin, dikur, ishin në një parti.
Në seancën e së enjtes, Egzon Azemi akuzoi Tahirin se po e mbush buxhetin e komunës duke gjobitur të varfrit.
“Unë të kam thënë superman, sepse i tillë po bëhesh me të varfrit, bëhu superman me Viva Freshin, jo me hallexhinjtë. Puno kundër milionerëve që e kanë uzurpuar Prishtinën”, është shprehur Egzon Azemi, këshilltar komunal nga LVV, raporton “038” i KTV-së.
Drejtori Tahiri mohoi se po bëhet një selektim i tillë, duke thënë se janë shqiptuar gjoba edhe ndaj kompanive të mëdha.
“Qytetarët i gjobisim sepse s’janë alienë, gjobisim edhe biznesmenë, bile ata i marrin gjobat më të larta. Ju, si VV, kishte qenë mirë të dilni me komunikatë dhe të thoni që sheshi duhet të jetë pazar. Ju i tuteni votës, unë pesë pare nuk i jap për punën e votës”, ka thënë Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit.
Më pas, përplasja u zhvendos ndërmjet Azemit dhe Nol Nushit të PSD-së.
Gjatë shqyrtimit të raportit financiar për tremujorin e parë të vitit, ekzekutivi ka marrë kritika për nivelin e ulët të investimeve kapitale.
Pas funksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të enjten janë betuar dy këshilltarë të rinj komunalë.
Hafiz Krasniqi nga LDK-ja do ta zëvendësojë Sokol Havollin e punësuar në BQK.
Ndërsa, Arbër Vokrri i LVV-së, do të jetë në vend të Milot Podvoricës, i cili u tha se është larguar për çështje personale.