Arbëri

Azemi i bindur që VV-ja do të rikthehet në Prishtinë: Rama po e shpërfaq veten me skandale

Egzon Azemi

Egzon Azemi, sekretar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka akuzuar pushtetin në Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama, se e kanë shpërblyer me tender mbi çerekmilioni euro një përkrahëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se ky tender dhe të tjerë “superskandale” e bëjnë të bindur se Vetëvendosje do të rikthehet në pushtet në zgjedhjet e ardhshme në kryeqytet. 

Në Interaktiv të KTV-së, Azemi ka thënë se fituesja e tenderit për digjitalizim të shërbimeve në arsim ka fituar me çmimin më të lartë ofertues. Ai ka deklaruar se fituesja e tenderit ka hapur kompaninë me të cilën ka fituar, tre muaj pas një takimi të Ramës në “përgatitjen e programit komunal për qeverisjen” më 2022. Azemi ka prezantuar fotografi për të cilat ka thënë se e tregojnë përkrahjen e fitueses së tenderit për Ramën dhe LDK-në. Ai ka thënë se pushteti i Ramës është karakterizuar vazhdimisht me “tenderë të dyshimtë”. Këtu ka përmendur biçikletat, Arkitektin e Rrugën A.

“Edhe pse në fillim Rama u paraqit si figurë ndryshe po del të jetë e vjetra e LDK-së”, ka thënë ai.
Sipas Azemit, dyshimet për këtë tender lidhen se fituesja është përkrahëse e Ramës, se ajo ka pasur ofertën më të lartë e se e ka hapur biznesin tek pas marrjes së mandatit nga Rama. Ai ka hedhur dyshime edhe në tenderin, duke thënë se për digjitalizim Ministria e Arsimit i ka kërkuar që të mos hapet duke deklaruar se është detyrë e ministrisë që të bëjë digjitalizimin në nivel vendi e se s’mund të ketë procese të tilla veçmas nëpër komuna. Pavarësisht anulimit të tenderit të parë, sipas Azemit, komuna e ka hapur sërish tenderin dhe e ka bërë publik vendimin për fitoren e Iris Gjinovcit tek “në ditët e pushimit të kësaj jave”. 

Azemi ka thënë se Vetëvendosja do të presë nëse Prokuroria do të iniciojë vetë hetime, e nëse nuk e bën ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj Komunës. 

Për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Azemi ka shprehur bindjen se Vetëvendosje do të rikthehet në pushtet në kryeqytet.

“Jam i bindur se VV-ja do të ketë kandidat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e Prishtinës e që padiskutim konsiderojmë se do të jetë fitues sepse kjo qeveri... s’kemi pasur nevojë të flasim shumë sepse po e shpërfaq veten. Na duhet vetëm që t’i kushtohet hapësirë mediale punës dhe mospunës. Nëse ka punë le të dalin, por edhe le të dalin edhe superskandalet”, ka thënë Azemi.