Arbëri

Avokati: S’ka asnjë dëshmi kundër Veselit, s’ishte në Kosovë në periudhën për të cilën akuzohet

Ben Emmerson

Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, ka thënë se Prokuroria në Speciale nuk e ka asnjë dëshmi “që mund ta vërtetojë se Veseli ka qenë pjesë e ndonjë ndërmarrjeje kriminale”. Sipas tij, në periudhën për të cilën akuzohet, Veseli ka qenë kryesisht jashtë Kosovës.

Ai ka thënë se kur Veseli qe emëruar shef i inteligjencës, ai ka qenë jashtë Kosovës dhe se në atë kohë punonte me shtetin e Shqipërisë dhe shtete anëtare të NATO-s për të dëshmuar krimet e kryera nga serbët.

Pretendimet e Prokurorisë i ka quajtur hipoteza.

“...Por s’ka asnjë në prova se ka qenë i përfshirë në çfarëdo lloj forme në identifikimin apo ndalimin e kolaboracionistëve të pretenduar. As komunikatat s’kishin lidhje me të. As s’i shkroi asnjëherë...S’ka as një element që ai i ka miratuar paraprakisht ato”, tha avokati Emmerson.

Emmerson ka përmendur një dëshmitar, që sipas Prokurorisë e ka parë në Kukës njëherë Veselin, por sipas Emmersonit më vonë ka dalë të ketë qenë deklaratë e gabuar. Dëshmitari, sipas Emmersonit, tashmë ka vdekur.

Ka përmendur edhe rastin e Lah Brahimajt, që sipas Emmersonit, dëshmon se Ramush Haradinaj s’ka qenë pjesë e ndërmarrjes kriminale. Njëjtë, sipas tij, vlen edhe për rastin e Veselit.

Për një letër të publikuar nga ZPS-ja, Emmersoni ka thënë se “ajo s’e përmend fare Veselin dhe mund të jetë shkruar nga kushdo, e madje edhe mund të jetë shkruar në Hagë”.

“S’ka kurrfarë dëshmie”, ka thënë ai.