Avokati kosovar me banim në Zvicër, Sali Bislimi, pritet t’i bashkohet ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Bislimi ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook se nëpërmjet zyrës së tij ligjore në Zvicër do të organizojë ekipin e avokatëve zviceranë për të ndihmuar avokatët mbrojtës të Thaçit.
“Sapo dola nga vizita që i bëra presidentit Hashim Thaçi në Hagë. Presidenti Hashim Thaçi pranon në parim propozimin tim që nëpërmjet zyrës sime ligjore First-Consulting.ch të organizoj ekipin e avokatëve zviceranë për të ndihmuar si vlerë të shtuar bashkë me avokatët tjerë që ka. Ky themelues i shtetit të Kosovës meriton mbështetje dhe do e gjejmë pa dyshim te diaspora shqiptare në Zvicër dhe ajo në Gjermani”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi ka shkruar se është befasuar kur ka kuptuar se Gjykata e Hagës nuk zbaton të drejtën themelore për të ushtruar lirinë fetare.
“Nuk mbahet në burg presidenti për xhelozi, ne do të bëjmë realitet lirimin e tij. Me presidentin”, ka shkruar Bislimi.
Në nëntor të vitit 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj Hashim Thaçit nga Dhomat e Specializuara. Ai akuzohet për krime lufte e krime kundër njerëzimit.