Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka thënë se mbrojtja planifikon të ftojë si dëshmitarë shumë diplomatë të huaj.
I pyetur nga gazetarët pas seancës gjyqësore kundër ish-drejtuesve të UÇK-së nëse është e mundur që në këtë rast të dëshmojë edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, Kehoe, ka thënë se do të jetë e vështirë kjo.
“Do të vinë diplomatë të shumtë. Mund të jetë e vështirë të vijë edhe presidenti Biden, duke e marrë parasysh se është president i SHBA-së dhe është i nxënë shumë. Deklaratën e tij e kam vendosur në dëshmi, pasi e kam vendosur gjithë transkriptin aty. Bideni ishte takuar me presidentin Thaçi në vitin 1999, pati bisedë dhe e pamë sot në dëshmi. Por, do të ketë shumë figura ndërkombëtare tjera që do të dëshmojnë”, tha Kehoe, raporton redaktori i KOHËS nga Haga, Driton Mehmeti.
Kehoe ka thënë se në mesin e personave që do të ftohen si dëshmitarë në Hagë janë Bernard Kouchner, William Walker, Daan Everts, Wesley Clark, James Rubin.
Kehoe ndërkohë ka thënë se vendimet që ka marrë Tribunali i Hagës në rastin e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, janë shumë me rëndësi edhe në këtë rast.
“Janë vendime specifike në këto raste sa i përket krimeve kundër njerëzimit, ku tregohet se nuk kishte një sulm të zgjeruar ndaj popullatës civile. Këto vendime, jo vetëm një, janë të aplikueshme edhe në këtë rast. Ato që do të shohim janë shumë dëshmitarë të njëjtë, shumë nga ngjarjet e njëjta që i pamë edhe në rastin e Limajt e Haradinajt, e ata individë u shpallën të pafajshëm. Ato vendime, veçanërisht në rastin e Haradinajt janë të rëndësishme”, tha Kehoe.
Kehoe ka folur edhe për mundësinë e lirimit nga burgu të Thaçit gjatë kohës së gjykimit, duke thënë se do të jetë e vështirë, porse do të bëjnë kërkesa për pushime më të gjata e lirime për vizitë në Kosovë.