Avokati i Millan Radoiçiqit, Goran Petronijeviq, gjatë viteve 1998-1999 ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Pejë, që pati hetuar krimet e luftës në Kosovë dhe pati marrë pjesë në aktvendimin dënues ndaj zyrtarëve të NATO-s, për krimet e pretenduara të luftës. Në karrierën si avokat, pati mbrojtur në Hagë ish-liderin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, e shumë figura të tjera kontroverse serbe. Por se kush është Petronijeviqi, ky është profili i tij:
Goran Petronijeviq, që të premten e lexoi letrën e Millan Radoiçiqit mbi ngjarjet në Banjskë të Zveçanit, para se ta merrte detyrën e mbrojtësit të tij, ka qenë avokat edhe i ish-liderit politik të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, Radovan Karaxhiq, që nga Tribunali i Hagës u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Srebrenicë.
Krahas Karaxhiqit, e ka mbrojtur edhe Veselin Shlivançanin, ish-oficer i ushtrisë jugosllave, që u dënua gjithashtu për krimet e luftës në Ovçar të Vukovarit.
Por para se t’i hynte avokaturës, gjatë masave të dhunshme të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, nga viti 1998 e deri në qershor të 1999-s, ai u bë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Pejë. Në Kosovë, si gjyqtar i posaçëm hetues i ministrisë së Drejtësisë së ish-Jugosllavisë i hetoi krimet e pretenduara të luftës në Kosovë. Ishte anëtar i këshillit gjyqësor, i cili në vitin 2000 mori aktvendim dënues kundër zyrtarëve të NATO-s, shkaku i krimeve të pretenduara të luftës gjatë bombardimeve të Aleancës Veriatlantike ndaj caqeve policore e ushtarake serbe më 1999.
Avokaturës i hyri pas ndryshimeve të 5 tetorit më 2001 në Serbi. Klientët e tij më të njohur ishin ish-shefi i Sigurisë shtetërore, Rade Markoviq, ish-shefi i Sigurisë Ushtarake, Aco Tomiq. Ishte avokat edhe i këngëtares Svetllana Razhnjatoviq, Ceca, bashkëshorte e Arkanit, prijës i formacionit paraushtarak serb, Tigrat, por edhe i pjesëtarëve të Klanit të Zemunit.
Petronijeviq në disa rrethana ka shokuar publikun me deklaratat e tij, duke shpalosur hollësi nga disa prej lëndëve që i trajtoi. Më 2019, tha se prijësit e Klanit të Zemunit, Dushan Spasojeviq dhe Mille Llukotiq, që ishin gjetur të vdekur në Melak më 27 mars të 2003-s, janë vrarë më herët e fytyrat e tyre janë grimosur me ngjyrë të freskët të kuqe që të dukej se janë vrarë gjatë përleshjeve me pjesëtarët e Njësisë Speciale antiterroriste.
E në mesgusht, Petronijeviqi e shprehu gatishmërinë që ta mbrojë edhe kryetarin e Republikës Serbe, Millorad Dodik, pasi Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj tij për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.