Zvarritja e procedurave gjyqësore, cenimi i së drejtës për mjete efikase juridike dhe shkelja e të drejtave në punë janë çështjet për të cilat qytetarët më së shumti janë ankuar tek Institucioni i Avokatit të Popullit.
Në konferencën e fundvitit, ky institucion ka njoftuar se gjatë 2021-tës ka pranuar 1 mijë e 536 ankesa, ku kanë qenë të përfshirë 2 mijë e 387 persona. Prej këtyre ankesave për hetim janë hapur 665 raste.
Avokati Naim Qelaj, derisa ka treguar statistikat lidhur me ankesat, ka thënë se gjendja e krijuar në pandemi ka ndikuar edhe në mirëqenien e qytetarëve dhe përkeqësimin e statusit ekonomik, duke e thelluar edhe më tepër hendekun e pabarazisë sociale ndërmjet familjeve.
“Edhe më tej vazhdojnë që qytetarët tanë me u përballë me shumë sfida që lidhen kryesisht me zvarritje të procedurave gjyqësore ku zënë 26% të vendit të tyre në statistikave tona. Pastaj cenimin e së drejtës për një mjet efikas juridik pra funksionimin e mirëfilltë të zbatimit të ligjit dhe barazisë për qytetarët në trajtim me ligjin që zënë 20% të ankesave dhe gjithashtu mbetet shumë shqetësuese mbrojtja e të drejtave në punë të cilat padyshim kanë 12% të numrit të ankesave të cilat veç u prezantuan sot para jush”, ka thënë Qelaj.
Ai gjithashtu ka thënë se vazhdojnë ta konsiderojnë diskriminues vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pagesën e rrymës në veri.
“Vendimi i gjykatës në shkallë të parë është aprovuar padia dhe padyshim ne e kemi pritur një vendim të tillë nuk kemi pritur një vendim tjetër sepse vazhdojmë me konsiderua çdo trajtim të pabarabartë të qytetarëve në këtë rast si diskriminues dhe si të kundërligjshëm dhe kundërkushtetues”, ka shtuar ai.
Sa i përket krizës energjetike në vend dhe vendimit të Qeverisë për mbështetje të KEK-ut, Qelaj ka theksuar se ende nuk kanë ndonjë qëndrim. Ka thënë se nëse konstatojnë që ka shkelje të të drejtave të njeriut, do të reagojnë.
Qelaj në këtë konferencë ka paraqitur edhe disa raporte të punuara gjatë këtij viti e që kanë të bëjnë me pandeminë, të drejtat e fëmijëve, mjedisin e të tjera.
Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbyllur 753 raste, përfshirë raste që janë pranuar në vitin 2020.