Arbëri

Avokatët i quajnë skandaloze vendimet në rastin “Syri i Popullit”, thonë se shkalla e dytë do t’i rrëzojë

Avokatët Fehmije Gashi - Bytyqi dhe Ramiz Krasniqi në Interaktiv të KTV-së i kanë quajtur skandaloze vendimet për rastin “Syri i Popullit”, derisa kanë shprehur bindjen se këto vendime do të rrëzohen në shkallën e dytë e të tretë.

Kujtojmë se për veprën penale terrorizëm Avni Llumnica është dënuar me 12 vjet burgim, Sadri Ramabaja me 5 vjet, Ragip Sallova me 4 vjet, Rexhep Topllana 2 vjet, kurse për mosparaqitje të veprës penale, me dy vjet burgim është dënuar Behxhet Luzha.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha janë dënuar me nga 3 vjet heqje lirie, e ky i fundit edhe me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Kurse, të akuzuarin Murat Jashari, që tentoi ta vriste Azem Vllasin, Gjykata nuk e ka dënuar me burgim, por e ka detyruar që për 10 vjet të qëndrojë në mbajtje në trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Avokatja e Jasharit, Gashi-Bytyqi ka deklaruar se vendimi i gjykatës ishte skandaloz, pasi klienti i saj ka probleme psiqike.

“Sot ka ndodh një vendim skandaloz në lidhje me Jasharin. Duket se ai trup gjykues është përballur me një natyrë penale siç është i klientit tim. Ekspertiza ka qenë që Jashari të lirohet pasi gjendja e tij psiqike është e papërmirësueshme. Dhe nëse do të kthehej te familja në Zvicër do të ishte më e lehtë për të. Për mua ka qenë shumë shokuese, por besoj se shkalla e dytë dhe e tretë do të përmirësojë këtë vendim të Themelores. Është vërtetuar se ai vuan nga sëmundja që është e pashërueshme, dhe atë e kanë mbajtur për 11 muaj me të tjerët. E ka pasur edhe shumë shkelje të tjera shumë të rënda”, ka thënë ajo në Interaktiv.

Ajo shtoi se edhe Jashari s’e ka mohuar tentimin për vrasjen e Vllasit.

“Prokuroria na ka thënë se kanë pasur njohuri se do të ketë atentate ndaj njerëzve. Klienti im është me paaftësi mendore dhe s’kemi çfarë të flasim në këtë drejtim. Nuk e mohon se ka shkuar te Azem Vllasi, mirëpo për këtë çështje nënkupton se nuk ka përgjegjësi penale. Është konstatuar se ka qenë në paaftësi mendore. Kjo është një lloj mase, e nuk është dënim. Rekomandimi i mjekëve ka qenë që Jashari të kthehet në Zvicër te familja. Vetë fakti se ai vlerësohet si niveli më i lartë i sëmundjes së tij, ajo nënkupton se trupi gjykues ka bërë shkelje të mëdha që kanë lënë prezent me të tjerët. Gjatë gjithë kohës Jashari ka qenë në gjykim”, ka thënë Gashi-Bytyqi.

Ajo ka shtuar se përmes ankesës do të goditet kjo masë, dhe do të kërkohet që ai të rikthehet menjëherë në Zvicër, e nuk do të ndalen madje edhe deri në gjykatat më të larta.

“Nuk ka kushte në Kosovë, e kjo do ia rëndojë gjendjen e tij dhe ka shumë probleme shëndetësore. Ky rast është monitoruar nga ndërkombëtarët dhe vazhdimisht kanë mbajtur shënime nga fillimi deri në fund. Thaçi ka deklaruar se Jashari është një njeri i sëmurë dhe sot sikur të lirohej s’e kishte problem. Nëse ka nevojë rasti do të shkojë edhe në Kushtetuese e edhe në atë të Strasburgut, nëse është e nevojshme”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër avokati i Ramabajës, Ramiz Krasniqi e ka cilësuar këtë gjykim krejtësisht politik.

“Ramabaja është dënuar për redaktimin librit dhe shkrimin e parathënies së librit të Murat Jasharajt. Nuk ka pasur asnjë fakt se Ramabaja ka të bëjë me këtë. Më skandaloze është se ky është një gjykim tipik politik, sepse akuza ishte politike e të gjithë krerët shtetërore kanë dëshmuar në këtë rast. Presioni i parë ka ndodhur kur ka dëshmuar Thaçi e rasti tjetër ishte kur ka dëshmuar Veseli. Ramabaja ka ra viktimë sepse ka rënë pre e shkollimit të tij si dhe sepse ishte pjesë e Vetëvendosjes”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se Ramabaja e Jashari janë takuar dy herë, dhe kanë qenë dëshmitar edhe pjesëtarë të AKI-së.

“Ka qenë bisedë e rëndomtë në një bisedë në një lokal. Këta kanë biseduar për halle të ndryshme. Nuk është përmendur emri i Azem Vllasit. I gjithë aktiviteti i Murat Jasharit është përcjellë nga AKI-ja dhe e ka ditë se ku po shkon Jashari, por nuk e ka ndalur”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Naime Kransiqi sepse gjykimin e ka udhëhequr njëanshëm.

“Ajo i është drejtuar presidentit me shkëlqesia juaj. Aktakuza nuk ishte e Sylë Hoxhës, por e Hashim Thaçit. Ky është gjykimi më skandaloz që ka ndodhur tek ne ndonjëherë. Dy herë ka ndodhur gjykimi me dyer të mbyllura dhe direkt kanë ndikuar krerët e shtetit në gjykim. Ai e ka pritur në mënyrë të qetë. Avni Llumnica është dënuar për tri vepra. Ai ka ndodhur për vepër të dhunimit, e kjo duhej të trajtohej ndaras, dhe i dëmtuari ka ikur nga Kosova dhe ka kërkuar azil në Francë. Çfarë kërkonte kjo akuzë në këtë rast. Ishte një akuzë për veprime kundër shtetit. Askush nuk e ka parë këtë person”, ka thënë ai.

E sipas tij kjo është bërë që të njollosen këta persona.

“Ky gjykim në shkallë të gjykatës së apelit do të prishet. Është lejuar që të gjykohet pa personin e akuzuar, e kjo është shkelja e parë. Ku keni parë që një grup kriminal që kërkon rrëzimin e pushtetit të ketë aq pak armë. Qëllimi pse është bërë ky gjykim i madh është krejtësisht politik. Nuk e dimë se çfarë do të shkruhet në këtë aktgjykim. Nuk ishte fjala përfundimtare e prokurorit. Gjykata e Apelit mund t’i lirojë këta njerëz”, u shpreh Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka shtuar se Sylë Hoxhaj nuk duhet të frikohet nga askush, “pos nga ndërgjegjja e tij e sëmurë. Ai komplet ka treguar se është pjesë e Klanit Pronto. Në vend se ta ndihmonte gjyqin. Fati i të gjithëve varej nga Thaçi”.

Avokatët e të dënuarve nga grupi “Syri i Popullit”, Ramiz Krasniqi dhe Fehmie Gashi-Bytyqi, kanë thënë se përjashtimi i gazetarëve gjatë seancave gjyqësore është i gabuar.

“Populli duhet të dijë çfarë ndodh në gjykatat tona. Në SHBA ka gjykime që përcillen si ndeshjet e futbollit, mbyllja është e tmerrshme, është kundër konventave”, tha Krasniqi.

“Edhe unë jam pro që gazetarët të jenë prezentë në seanca gjyqësore. Edhe vetë trupi gjykues bëhet sa më i drejtë”, tha Gashi-Bytyqi.