Gjykimi për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili është paralajmëruar të nisë të mërkurën e javës së ardhshme, do të përcillet me një sërë sfidash, paralajmëruan avokatët. Njëra prej sfidave kryesore që u listua nga ta, është mundësia e prolongimit të procesit shkaku i numrit të madh të të akuzuarve. Ata e shtruan edhe nevojën që gjykata ta shpejtojë procesin, pasi vlerësuan se veridikti për rastin mban peshë të madhe juridike e edhe politike për Kosovën
Gjykimi për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vjetëm në Banjskë të Zveçanit, që pritet të nisë të mërkurën e javës së ardhshme, do të përcillet me një varg sfidash, paralajmëruan të shtunën një numër avokatësh.
Si sfidë të parë, avokati Artan Çerkini e përmend mundësinë e prolongimit të lëndës, shkaku i numrit të madh të të akuzuarve të përfshirë në aktakuzën e ngritur për rastin.
Nga 45 të akuzuarit, tre janë në paraburgim në Kosovë. Për të tjerët, që pas sulmit ikën në drejtim të Serbisë, Çerkini tregon se cilat janë procedurat që duhen ndjekur për gjykim në mungesë.
“Duke qenë se të gjithë të akuzuarit akuzohen edhe për veprën penale të vrasjes së rëndë, atëherë bazuar në këtë fakt, duhet të ndiqen disa hapa proceduralë për t’u konsideruar i ligjshëm gjykimi në mungesë, e këta hapa të cilët duhet të ndiqen janë, lëshimi i urdhërarrestit vendor, lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar, pastaj publikimi i aktakuzës në gazetën zyrtare, e po ashtu ftesa e aktakuza duhet të publikohen në uebfaqen e prokurorisë dhe gjykatës që procedon me rastin”, ka treguar ai.
E, avokati Taulant Hodaj, kërkon që gjykata ta ketë prioritet dhe ta përshpejtojë trajtimin e rastit, epilogu i të cilit thotë se është në interes të Kosovës.
“Vetë numri i madh i të akuzuarve është sfidë në vetvete sepse zakonisht në gjykimet e mëdha me numër të madh të të akuzuarve kanë një stërzgjatje apo janë ndarë dhe pastaj kanë shkuar duke u stërvonuar dhe në fund janë parashkruar. Por, besoj që vetëm kanë mësuar nga këto prolongime që kanë qenë dhe do të procedojnë sa më shpejt që është e mundur sepse është në interes të drejtësisë por edhe në interes të Kosovës që të kryhet ky rast sa më shpejt”, ka thënë Hodaj.
E, tek foli për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, avokati Kadri Osaj vlerësoi se ekstradimi i tyre nuk do të jetë i mundur, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit juridik Kosovë-Serbi.
“Duke marrë parasysh faktin se marrëdhëniet ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës nuk janë më të mirat dhe duke marrë parasysh edhe faktin se nuk kemi një marrëveshje të ekstradimit dhe nuk kemi njohje reciproke, konsideroj se një bashkëpunim i tillë nuk do të vijë në shprehje. Nuk do të vije në shprehje edhe për faktin se autoritetet e Serbisë direkt dhe indirekt kanë qenë të involvuara në çështjen, kështu që nuk pres që këta persona do të ekstradohen në Kosovë”, ka thënë Osaj.
Një tjetër çështje që, sipas juristëve, mund ta prolongojë procesin është refuzimi i avokatëve për t’i përfaqësuar në Gjykatë të akuzuarit për terrorizëm.
Por Çerkini thotë se kjo nuk duhet të lejohet që të ndodhë.
“Avokati kur e jep betimin, ai e jep betimin se duhet ta mbrojë secilin person pavarësisht prej veprës dhe pavarësisht prej përkatësisë kombëtare, racore, etnike, religjioze dhe kështu me radhë. Avokatët duhet të jenë në nivel të detyrës”, ka thënë ai.
Nga të akuzuarit, 43 dyshohet se më 24 shtator të vitit të shkuar, e sulmuan Policinë në Banjskë të Zveçanit, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre për kryerje të veprës terroriste, për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit si dhe për shpëlarje parash.
Sipas aktakuzës, qëllimi i grupit të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ishte shkëputja e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë.