Arbëri

Avancon procesi i peticionit për largimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Ka avancuar në fazë të re, iniciativa e disa qytetarëve serbë për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka konfirmuar për KOHËN se është dorëzuar formati i nismës për peticion dhe se procesi tashmë do të vazhdojë shumë shpejt.

“Ata janë të obliguar të lajmërojnë kryesuesin për nismën dhe të lajmërojnë në cilin objekt do ta mbajnë peticionin. Si iniciativë janë regjistruar, sipas udhëzimit administrativ”, ka thënë Ugljanin për KOHËN.

Pasi të nisë procesi i peticionit, afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë.

Në udhëzimin administrativ të bërë sivjet, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale. Nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.

10 ditë më parë, kjo komunë nuk e pati pranuar kërkesën e një grupi për t’u regjistruar si grup nismëtar për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Erden Atiqit.

Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.

Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.