Arbëri

Avanca joligjore e udhëtimit të kuvendarëve të Podujevës

Kuvendarët e Podujevës kanë marrë 6 mijë euro avancë në kundërshtim me kërkesat ligjore, ka vlerësuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Në raportin e saj vjetor për vitin 2022, thuhet se nga këto mjete, 1 mijë e 325 euro as nuk kanë arritur t’i arsyetojnë.

“Vendimi 30/2018 i nxjerr nga Ministria e Financave i aprovon tarifat për udhëtime jashtë vendi. Sipas këtij vendimi shpenzimet ditore për Shqipëri janë 130€, prej tyre 91€ parashihen për fjetje ndërsa 39€ për ushqim dhe shpenzime të vogla. Në rastet kur shpenzimet janë më të ulëta se sa ato të parapara ato duhet të kthehen. Avanca e marrë për mbulimin e shpenzimeve të fjetjes duhet të arsyetohen me fatura ndërsa avanca që jepet për ushqim dhe shpenzime të vogla nuk ka nevojë të arsyetohet”, thuhet në raport.

“Komuna kishte marrë avancë në vlerë 6,000€, për udhëtim zyrtar për në Shqipëri dhe Mal të Zi për asamblistët/këshilltarët e Kuvendit Komunal të Podujevës. Vizita ishte realizuar nga data 01-03.12.2022. Kjo avancë nuk ishte përdorur në pajtim me kërkesat ligjore për shkak se përveç shpenzimeve të lejuara (fjetja dhe ushqimit dhe shpenzimeve të vogla) kjo avancë ishte arsyetuar edhe me shpenzime tjera të palejuara për pije dhe ushqim. Vlera e paarsyetuar është 1,325”.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur për shkak të kontrollit të dobët të zyrës së financave, e cila ka pranuar fatura për shpenzimet e palejuara me rastin e mbylljes së avancës në pajtim me kërkesat ligjore.

“Shpenzimi i avancës për udhëtime zyrtare jo në pajtim me kërkesat ligjore ndikon në dëmtimin e buxhetit komunal. Kryetari duhet t’i shtojë kontrollet për të siguruar se zyra e financave nuk do ta lejojë asnjë shpenzim nëse nuk janë të arsyetuar në pajtim me kërkesat ligjore”.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës i kanë thënë KOHËS se një pjesë e këtyre mjeteve do të kthehen.

“Në këtë udhëtim prej dy ditësh kanë qenë 24 persona në udhëtim zyrtar jashtë vendi. Shuma makismale e lejuar është 6240 euro, kurse në bazë të limitit 130 euro për person në ditë. Mirëpo, përkundër kësaj një pjesë e mëditjes do të kthehet nga pjesëmarrësit dhe disa janë në proces të kthimit”, thuhet në përgjigjen e zyrtarët komunalë.