71 inspektorë sa ka gjithsej Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, nuk po i mjaftojnë këtij institucioni që të bëjë inspektime në gjithë vendin.
Andaj, kjo agjenci, për vite me radhë ka kërkuar nga institucionet përkatëse që inspektorët komunalë të ushqimit të kalojnë nën menaxhimin e AUV-it, raporton KTV.
Thaçi shtoi se kanë nënshkruar memorandum me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Ministrinë e Financave dhe janë duke pritur përgjigje.
Obiliqi është njëra nga komunat që bashkëpunon më së shumti me Agjencinë e Ushqimit dhe drejtori i Inspeksionit, Burim Ismaili, është kundër këtij transferi.
“Si drejtori, kemi bashkëpunim të mirë mes inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, si dhe kemi inspektime të përbashkëta. Inspektorati Sanitar është i domosdoshëm për komunat, por nuk pajtohem që të kalojë në AUVK, ndonëse nuk varet shumë prej nesh”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa, nga MAPL-ja thonë se memorandumi është nënshkruar 5 vjet më parë dhe se me funksionalizimin e Kuvendit, ky ligj do të shkojë për miratim dhe vetëm atëherë do të kryhet transferimi.
Përderisa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke hartuar projektligjin për inspektime, ai ka kaluar të gjitha procedurat e përcaktuara me Rregulloren e punës së qeverisë dhe legjislacionin përkatës për hartimin e akteve normative.
Sipas këtij projektligji, Inspektorati i AUV-it planifikohet të kalohet në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural. Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se sa i përket çështjes së kalimit të inspektorëve të komunave në kuadër të AUV-it, ende po diskutohet.
E faktori kyç në këtë çështje, Ministria e Financave, nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës.