Arbëri

AUV: Gastronomia që furnizohet me ujë të Badocit inspektohet në mënyrë pasive

Që nga java e shkuar, qytetarët e Prishtinës që furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit thonë se janë detyruar që brenda ditës të blejnë edhe deri në 40 litra ujë për pije e për gatim. E në lokalet e gastronomisë, për të cilat gjithashtu vlen rekomandimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mospërdorim të ujit nga rubinetet, thanë se për shërbime po përdoret uji i blerë. Por nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bënë të ditur se nuk janë kryer inspektime të rregullta, por veç monitorime pasive

Janë bërë katër ditë prej kur qytetarët që furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit nuk mund ta përdorin atë as për pije dhe as për gatim, si pasojë e vlerës së rritur të manganit në të.

Mangani është një mineral që ndodhet në gurë, në dhe, si dhe ujë, por edhe në ushqime dhe konsiderohet të jetë normal konsumimi i tij në sasi të caktuara. Por në rast të pranisë së tij më të lartë se 0.05 miligramë në një litër ujë, mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.

Si rrjedhojë e paralajmërimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për moskonsumimin e ujit, disa qytetarë në rrugën “Muahrrem Fejza” në Prishtinë thanë se janë detyruar që brenda një dite të blejnë edhe deri në 40 litra ujë për pije e për gatim.

“Përpara e kemi përdorë ujin. Pasi që erdhi njoftimi që nuk duhet me përdorë, puna e nuk e di njëfarë më tepër sasia e manganit që ish, edhe na njoftuan që ta blejmë ujin.. Unë për vete marrë shumë, dmth dy bidona, dy paleta edhe nuk po më del”, tha qytetarja Gjina Haxhiu.

“Ne me pi edhe ashtu e kemi ble gjithherë se asnjëherë nuk e kemi përdorë edhe po harxhojmë boll edhe këtu me këto rroga, me këto me këto pensione pak problem me ja dalë”, tha qytetari Jahir Islami.

Disa të tjerë shprehën dyshime se uji është bërë i papijshëm nga faktori njeri.

“Këtu është njëfarë dyshimi, shqiptarët çka s’bëjnë, se këta e lidhin, e kanë lidh se ju kanë mbet paletat pa i shitë të këtij uji. Ky ujë nuk është shitë”, thq qytetari Murtez Hasani.

Nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” thanë se gjendja me ujin nuk është alarmante dhe nuk ka vend për panik.

“Gjendja nuk është shqetësuese, gjendja nuk është alarmante. Pak është bërë panik, më shumë se ç’duhet edhe ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik kanë dhënë rekomandime edhe kanë thënë që nuk duhet bërë panik”, tha zëdhënësja e KRU “Prishtinës”, Arjeta Mjeku.

Rekomandimi i IKSHPK-së për ujin vlen edhe për lokalet e gastronomisë që furnizimin e kanë nga Badoci. Përfaqësues të disa prej tyre i thanë KOHËS se kafetë dhe ushqimet, konsumatorëve ua shërbejnë të përgatitura me ujë të blerë, e jo nga rubinetet.

Por Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, tha se në këto lokale nuk janë bërë inspektime të rregullta për zbatimin e rekomandimit.

“Inspektorët nga një monitorim pasiv ta quaj kanë vërejtur që të gjitha restorantet janë duke e zbatuar, sepse janë duke përdorë ujin e paketuar edhe për shërbim për pije direkt, por edhe për gatimet ushqimore që i servojnë për klientët e tyre”, tha Thaçi.

Thaçi thotë se deri më tash nuk është adresuar ndonjë kërkesë nga Inspektorati Sanitar që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë për inspektim të rregullt në sektorin e gastronomisë.

E në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me nivelin e rritur të manganit në ujë, për dëmin që mund të shkaktohet nga përdorimi i tij dhe se si duhet vepruar në rast se nuk do të ketë ndryshim të shpejtë të vlerave të këtij minerali në ujë.