Arbëri

Autostrada “Arbën Xhaferi” e papastruar nga bora

Autostrada “Arbën Xhaferi”

Autostrada Prishtinë – Maqedoni, “Arbën Xhaferi”, ndonëse është e kalueshme, nuk është pastruar nga bora që ka rënë prej të martës.

KOHA ka siguruar pamje. Rruga në mëngjesin e së mërkurës është përplot borë dhe veturat po hasin në vështirësi në kalim.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë për KOHËN se asnjë rrugë në Kosovë nuk e pakalueshme.

“Asnjë rrugë nuk është e bllokuar apo e pakalueshme në Kosovë. Unë jam në terren, në rrugë”, ka thënë ai.

I pyetur për qytetarët që po detyrohen t’i shtyjnë veturat e ngecura, siç shihet në pamjet e KOHËS për rrugën për në Shtërpcë, Durmishi ka thënë se “s’është faji im që ata dalin në rrugë me goma të verës dhe pa pajisje dimërore”.

Ai më pas ka shkruar në Facebook se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren “dhe janë duke intervenuar vazhdimisht në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme”.

“Reshjet e borës po vazhdojnë dhe pritet që të ketë reshje edhe në ditët në vazhdim. Ekipet e mirëmbajtjës janë në teren dhe janë duke intervenuar vazhdimisht në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme. Sipas raportimeve nga tereni të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë janë të hapura. Ju lutemi që të keni kujdes gjatë vozitjes duke respektuar rregullat dhe përshtatur kushteve klimatike. Do të jemi vazhdimisht në gatishmëri që rrugët tona të jenë të hapura për lëvizjën sa më të lehtë për ju”, është shprehur Durmishi.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar në raportin e përditësuar se vetëm rruga Pejë-Kullë është e pakalueshme për kamionët, e të gjitha rrugët e tjera janë të kalueshme.

Policia e Kosovës i ka apeluar ngasësit që të kenë kujdes të shtuar në këto kushte atmosferike.