Arbëri

Autoriteti i Konkurrencës ka tetë muaj që s’po heton rritjen e çmimeve

Çmimet

Në kohën kur Kosova ka përjetuar inflacionin më të madh, Autoriteti i Konkurrencës ka mbetur pa komisionin përgjegjës për hetimin dhe gjobitjen e bizneseve që kurdisin çmimet. Për pasojë, që nga 9 qershori i vitit të shkuar nuk ka mundur të hapej asnjë hetim për ngritjen e çmimeve. Në Qeveri nuk premtojnë se situata mund të ndërrojë shpejt

Prishtinë, 30 janar - Në valën e rritjes më të madhe të çmimeve në treg, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka mbetur pa komisionin përgjegjës për hetimin dhe gjobitjen e bizneseve që kurdisin çmimet.

Për pasojë, që nga 9 qershori i vitit të kaluar nuk ka mundur të hapej asnjë hetim për ngritjen e çmimeve në Kosovë, që i bien gati tetë muaj.

Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i AKK-së, e ka vlerësuar të pafavorshme për konsumatorët situatën.

“Mungesa e komisionit krijon një hendikep në fillimin dhe mbylljen e hetimeve ekzistuese, dhe interesi i Kosovës është që të mos krijohet zbrazësi më e madhe”, deklaroi Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i AKK-së.

Qysh në fillim të vitit të shkuar, Kuvendi dhe Qeveria ishin paralajmëruar se AKK-ja do të mbetej pa Komision, por nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

“I kam njoftuar më 23 mars që këtij komisioni i skadon mandati më 9 qershor”, shtoi Imeri.

Institucionet janë justifikuar për mungesën e marrjes së veprimeve.

“Deri më tani në Kuvend nuk janë proceduar emrat e kandidatëve potencialë për të qenë pjesë e AKK-së”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.

E në Qeveri nuk dhanë zotim që propozimet për anëtarët e Komisionit do t’i përcjellin shpejt.

“Komisioni i AKK-së do të funksionalizohet. Emrat e kandidatëve potencialë do të dërgohen në Kuvend, pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, meqë në atë projektligj parashihen fushat dhe format e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet MINT dhe AKK-së me qëllim mbrojtjen e konkurrencës së shëndoshë të tregut”, u shpreh Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Raporti i fundit përmbledhës që ka publikuar Agjencia e Statistikave në lidhje me inflacionin është ai për tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Bazuar në të, çmimet e produkteve të konsumit janë rritur për 5.7 për qind.

Vlerësohet se çmimet e produkteve janë rritur sidomos në fund të vitit të shkuar.