Pas identifikimit të gabimeve metodologjike, përmbajtjesore dhe teknike, të cilat i kanë vërejtur mësimdhënësit në librin e ri të Historisë së klasës së 7, kanë reaguar dy nga tre autorët e këtij libri shkollor.
Kritikat e bëra ndaj këtyre autorëve, se libri i ri është një përsëritje e atij të vjetrit dhe ka mospërputhje të mëdha me plan-programin mësimor, këta të fundit po i quajnë të pabaza, raporton KTV.
Njëri prej autorëve të librit, Arben Hajdari, thotë se deri tani asnjë mësimdhënës nuk ka paraqitur asnjë fakt që do ta rrëzonte ndonjë pjesë mësimore.
Sipas tij, krejt kjo po bëhet më shumë për çështje personale.
Ndërsa, autori tjetër, Azdren Shala, pranon se mund të ketë ikur ndonjë gabim teknik që mund t’i ndodhë gjithsecilit.
Megjithatë, sipas tij, ky libër është shumë më i mirë se ai paraprak dhe pavarësisht kësaj, thotë se janë të hapur edhe për kritika.
Të dy këta autorë thonë nëse, vërtet, ndonjë mësimdhënës identifikon mangësi, të cilat do ta dëmtonin nxënësin, janë të gatshëm që të ulen dhe t’i bëjnë ndryshimet. Sidoqoftë, këto tekste për një vit do të jenë në fazën e pilotimit.
Ministria e Arsimit tashmë ka dërguar formularë nëpër shkolla, përmes të cilëve mësimdhënësit kanë mundësi t’i shprehin vërejtjet e tyre. Këto vërejtje, pastaj, do t’u dërgohen shtëpive botuese për të ndërhyrë.