Arbëri

Auditori i adreson një mori vërejtjesh edhe sivjet Komunës së Pejës

Në mesin e gjetjeve gjatë auditimit të Pasqyrës Financiare të Komunës së Pejës për vitin 2020, në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit është edhe menaxhimi i dobët i kontratave

Një mori vërejtjesh nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i janë adresuar edhe sivjet Komunës së Pejës. Ato bazë i kanë gjetjet gjatë auditimit të Pasqyrës Financiare Vjetore të kësaj komune për vitin 2020.

Në raportin e tij, Auditori thekson se sipas Ligjit për Prokurim Publik dhe Rregullave e Udhëzuesit operativ për prokurimin publik, menaxherët e kontratës “janë përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe duhet të sigurojnë që operatori ekonomik ta kryejë kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë”.

Menaxherët e kontratave të projekteve, sipas shefit të Zyrës së Prokurimit në këtë komunë, Xhemë Berisha, propozohen nga Zyra e Prokurimit, kurse kryetari i Komunës pastaj i miraton dhe i lëshon vendimet.

“Unë raportin e Auditorit nuk e kam parë ende, por rreth menaxhimit të kontratave nuk është kompetencë dhe nën autoritetin e Zyrës së Prokurimit, sepse sipas Ligjit pas nënshkrimit të kontratës, të gjitha kompetencat nga Zyra e Prokurimit kalojnë te menaxheri i kontratës së projektit”, thotë Berisha.

Sipas tij, menaxheri i kontratës vetëm nuk ka të drejtë ta ndërpresë apo ndryshojë kontratën, kurse të gjitha të tjerat janë kompetencë e tij.

“Si pagesat, gjobitja e penalizmi i operatorit ekonomik për moskryerjen e punëve me kohë, rreth shtyrjes së afatit, mosrealizimi i dinamikës së punës... të gjitha janë kompetencë e menaxherit të kontratës, i cili llogari i jep drejtorit të drejtorisë përkatëse, që e ka kërkuar inicimin e procedurës së tenderimit të projektit të caktuar për zgjedhjen e operatorit ekonomik”, ka treguar Berisha për përgjegjësitë rreth menaxhimit të kontratave.

Ai ka shtuar se nga sivjet kanë filluar t’ua lëshojnë vendimet edhe drejtorëve të drejtorive, të cilët, sipas Berishës, janë përgjegjës dhe mbikëqyrës të drejtpërdrejtë ndaj menaxherit të kontratës gjegjëse.

“E në rast se vijnë në situatë që ta ndërpresin kontratën me operatorin ekonomik, ata pastaj i drejtohen Zyrës së Prokurimit me sqarimet dhe arsyet e kërkesës për ndërprerje të kontratës”, ka thënë ai.

Gjetje tjetër e auditorit ka qenë edhe vonesa në pagesën e faturave të papaguara, që me ligj duhet paguar brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagesë.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur në 13 raste fatura apo obligime në vlerë totale prej mbi 552 mijë eurosh, të cilat ishin paguar pas afatit kohor ligjor prej 30 ditësh, dhe vonesat e pagesave shkojnë nga 35 deri në 286 ditë kalendarike.

Sipas Auditorit, vonesat në pagesa mund të ndikojnë në rritjen e obligimeve, të cilat krijojnë implikime buxhetore për vitin vijues dhe rrezikojnë të shkaktohen shpenzime shtesë, për shkak të mundësisë së pagesave sipas vendimeve gjyqësore përmbarimore. Për vonesat e këtyre pagesave, në Komunë i kanë përmendur disa arsye.

“Ka pasur fatura të muajit të fundit të vitit që mbesin edhe të fillimit të vitit, dhe në raste kur ka mungesë të alokimeve. Edhe vitin e kaluar ka qenë situata e tillë nga pandemia se stafi nuk ka qenë komplet në punë për shkak të kufizimeve të numrit të punëtorëve dhe orarit të punës. Pastaj ka pasur zyrtarë që kanë qenë të izoluar shkaku i infektimit me virus. Ka qenë vit specifik, përndryshe të kishte qenë komplet stafi i punëtorëve në punë, kjo shumë e pagesave të vonuara kishte qenë shumë më e ulët. Por këtë gjetje Auditori e ka përmendur në të gjitha komunat e Kosovës”, thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj.

Në këto vonesa të pagesave, siç ka thënë ai, kanë ndikuar edhe mungesa e mbushjes së buxhetit të projekteve nga të hyrat vetjake, për të cilat ka pasur mungesë të realizimit.

Mungesa e realizmit të të hyrave dhe arkëtimit të borxheve që ia kanë Komunës personat fizikë dhe juridikë, konkretisht rritja e vazhdueshme e llogarive të arkëtueshme, kanë qenë gjithashtu disa prej gjetjeve të ZKA-së.

Sipas Auditorit, Komuna nuk ka arritur të përgatisë një plan operativ për mbledhjen e llogarive të arkëtueshme dhe nuk i ka ndërmarrë veprimet e kërkuara sipas legjislacionit.

Llogaritë e arkëtueshme, krahasuar me vitin 2019, janë rritur për 871 mijë e 951 euro, dhe rritja më e madhe ka ndodhur te tatimi në pronë, si dhe te pronat e dhëna me qira. Shkaqet e rritjes së të arkëtueshmeve, siç thuhet në raportin e auditorit, janë veprimi i pamjaftueshëm i Komunës, që përmes organeve të drejtësisë të zvogëlojë borxhin e pambledhur nga klientët.

Në pasqyrën e saj financiare për vitin 2020, Komuna e Pejës, sipas auditorit ka shpalosur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 18 milionë e 810 mijë eurosh. Mbi 12 milion e 171 mijë euro të shumës së përgjithshme janë borxhe për tatim në pronë, 6 milionë e 391 mijë euro janë borxhe për taksa në ushtrim të veprimtarisë, kërkesa nga paditë në gjyq rreth 147 mijë euro, për qiratë mbi 57 mijë euro... e të tjera. Edhe për mungesën e arkëtimit të të hyrave vetjakerxheve ndaj komunës vitin e kaluar, Abazaj gjithashtu fajin ia lë pandemisë.

“Prej muajit mars e deri në muajin qershor vitin e kaluar, kemi pasur ngecje të madhe në realizmin e të hyrave vetjake dhe kjo ka shkaktuar ekstra problem në këtë aspekt. Gjithashtu vitin e kaluar kemi qenë të kufizuar në arkëtim të dhunshëm të borxheve, për shkak se Qeveria vitin e kaluar pati sjellë vendim që të mos iniciohen procedura të dhunshme të arkëtimit dhe që të lirohen borxhlinjtë e Komunës nga kamatat dhe ndëshkimet. Dhe, Auditori nuk e ka marrë parasysh këtë fakt që ne kemi qenë shumë të bllokuar në këtë aspekt, pasi nuk kemi mund të ndërmarrim asnjë masë të arkëtimit të dhunshëm”, ka pohuar Abazaj.

Ndërkaq për sivjet Abazaj ka thënë se tashmë kanë iniciuar procedura të përmbarimit dhe lista e parë përmban emrat e 26 personave juridikë, të cilët i kanë borxhe Komunës prej rreth 10 mijë deri në 30 mijë euro. Në përgjithësi, Auditori në raportin e tij ka përfshirë 14 rekomandime për vitin e kaluar, që janë një më pak se për vitin 2019.