Për herë të parë, Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur shkelje serioze në mënyrën së si menaxhohet Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike. Ndonëse pagesat për këtë çështje edhe vitin e kaluar ishin të njëjta me të viteve të tjera, Auditori ka filluar t’i evidentojë shkeljet vetëm pas hulumtimit të KOHËS për këtë çështje
Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar shkelje serioze në mënyrën e funksionimit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Auditori e pati nxjerrë këtë institucion çdoherë mirë deri kur KOHA vitin e kaluar publikoi një hulumtim të gjatë në lidhje me Programin për Trajtim Jashtë Vendi e ku u evidentuan shkelje të mëdha.
Që në hyrje të raportit të sivjetshëm bëhet e ditur që Ministria e Financave ka kërkuar auditim të këtij programi. Një pjesë të të dhënave financiare thuhet se janë trajtuar në këtë raport, e pjesa tjetër, se si funksionon programi, do të bëhet në raportin tjetër të performancës.
Nga 150 fletëzotime për trajtime urgjente shëndetësore, me shumë së 60 për qind të tyre nuk janë trajtuar në përputhje me ligjin.
“Nga 150 mostrat e testuara të fletëzotimeve të lëshuara për rastet emergjente në vlerë prej 11,175,261€, kemi vërejtur se në 80 mostra, FSSH nuk i kishte evidentuar në regjistrat e detyrimeve të papaguara faturat e pranuara në vlerë 4,308,262€ të pacientëve që kishin përfunduar trajtimet shëndetësore dhe kishin sjellë raportet mjekësore e financiare, ashtu siç kërkohet me rregullën financiare. Këto lëndë nuk ishin shqyrtuar nga Bordi për Trajtim Mjekësor Jashtë Spitaleve Publike edhe pse i kishin plotësuar kushtet administrative dhe financiare për aprovim’, thuhet në raportin e ZKA-së.
Në raport flitet edhe për shkeljet subvencionimit të rasteve jourgjente.
“Nga 38 mostrat e testuara të pagesave për TMJISHP për rastet e rregullta ose jourgjente, 33 pacientë nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencionuar. Vlera financiare për rastet të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit është 446,429€”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.
Në këtë institucion ka edhe keqmenaxhim të pajisjeve të teknologjisë informative, sipas gjetjeve të Auditorit. Në raport thuhet se Fondi ka blerë 44 pajisje të tilla për stafin e planifikuar, por të parekrutuar.
“Gjatë ekzaminimit fizik kemi vërejtur se në regjistrin e stoqeve që nga viti 2020 janë të evidentuara 44 pajisje të TI-së (monitor dhe kompjuter) në vlerë totale 33,496€, pajisje që nuk janë në përdorim, pavarësisht se ato nuk janë pjesë rezervë. Këto pajisje ishin blerë në vitin 2019, duke u bazuar në numrin e stafit të aprovuar me buxhetin e atij viti. Në buxhetin e vitit 2019 kishin qenë të planifikuar 98 të punësuar, ndërsa në atë të vitit 2020, ky numër ishte reduktuar në 52 të punësuar”, thekson raporti i ZKA-së.
Pas hulumtimit të KOHËS vitin e kaluar ishte ndërruar bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore e ishte shkarkuar drejtori.
Derisa KOHA nuk ka raportuar për këto keqpërdorime, ZKA-ja nuk i ka evidentuar asnjëherë si të tilla.
Në raportin e publikuar është edhe një dokument përcjellës që tregon se sa i kanë adresuar institucionet rekomandimet e vitit të kaluar.
Nga ky dokument dëshmohet që për një vit ky institucion nuk ka adresuar asnjërën nga rekomandimet e vitit të kaluar.