Arbëri

Auditori gjen shkelje në realizimin e projekteve nga komunat në veri

Ka një vit që Komuna e Zubin Potokut ka aplikuar për mjete financiare në Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit për realizimin e projekteve të ndryshme kapitale.

Megjithatë, Bordi i këtij Fondi nuk është funksional prej kohësh, andaj këto projekte kanë mbetur peng, raporton KOHA.

Edhe në Komunën e Mitrovicës Veriore thonë se ky Fond është shumë i nevojshëm për 4 komunat me shumicë serbe, megjithatë sipas Adriana Hoxhiqit, shefe e administratës në komunën e Mitrovicës Veriore, kërkesat janë shumë më të mëdha për projekte të tilla.

“Fondi Zhvillimor për Veriun është shumë i nevojshëm. Shumë projekte kapitale janë realizuar nga ky fond deri tani, por nevojat reale për investime të tilla janë shumë më të mëdha. Përveç nevojave që i kanë qytetarët, sfidë tjetër është vetë fakti që Bordi, i cili e menaxhon Fondin zhvillimor, nuk është takuar fare më shumë se një vit”, ka thënë Hoxhiq nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Nga Zyra e BE-së kanë thënë se Fondi ka në dispozicion mbi 4 milionë euro për zhvillimin infrastrukturor, shoqëror e ekonomik të katër komunave veriore të Kosovës.

“Në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për Doganën, të ardhurat që mblidhen në dy pikat e kalimit verior, Jarinjë dhe Bërnjak nga mallrat e importuara nga bizneset e regjistruara në veriun e Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë ndarë për Fondin. Nga viti 2014, janë mbledhur mbi 15,6 milionë Euro. Deri më tani, Bordi Menaxhues për Fondin ka aprovuar 33 projekte”, ka thënë për KOHËN Zyra e BE-së në Kosovë.

E nga Dogana kanë thënë se gjatë vitit 2019, për fondin zhvillimor janë mbledhur 249.397,23 Euro; të gjitha mjetet fillimisht derdhen në buxhetin e Kosovës.

Ditë më parë, Auditori i Përgjithshëm ka publikuar një raport me gjetjet rreth këtij Fondi.

Aty thuhet se katër komunat e veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq nuk ishin mjaft efikase në vënien në dispozicion të projekteve të financuara nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit e në disa raste nuk ishin efektive, duke shtuar se miliona euro të këtij fondi nuk kanë shkuar për çfarë janë destinuar.

Gjatë viteve 2017-2018, Bordi ia kishte miratuar Komunës së Zveçanit katër projekte, prej të cilave njëri ishte zbatuar plotësisht, një tjetër ishte në zbatim, ndërsa dy projekte nuk ishin në nivel të kënaqshëm të zbatimit, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna e Zubin Potokut i kishte përfunduar plotësisht tri projekte që ishin miratuar në vitin 2015.

Ndërsa gjatë viteve 2016-2018, Komuna e Zubin Potokut kishte aplikuar dhe Bordi ia kishte miratuar gjithsej gjashtë projekte, prej të cilave njëri ishte zbatuar plotësisht,

tri tjera ishin në zbatim e sipër afër përfundimit, ndërsa dy projekte nuk kishte filluar t’i zbatojë fare.

Në Komunën e Leposaviqit katër projektet për të cilat ishin shpenzuar mjetet nuk kishin filluar të prodhojnë efektet e synuara, sipas gjetjeve të raportit.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës aktualisht ndan tri lloj grantesh për komuna: grantin e përgjithshëm, grantin për arsim parauniversitar dhe grantin për shëndetësi primare.