Fillimisht pritet identifikimi i përfituesve financiarë nga rrjetet sociale e më pas ata do të tatohen. Administrata Tatimore e Kosovës ka rinovuar licencën e veglës analitike të rrjeteve sociale, e cila ia mundëson këtë politikë. E njohësit e rrjeteve sociale thonë se iniciativa është pozitive, por do të jetë sfiduese, sidomos identifikimi i përfituesve nga aktiviteti i tyre në rrjetet sociale
Përfituesit financiarë nga aktiviteti i tyre në rrjetet sociale nuk do të mund t’i ikin “rrjetës” së shtetit.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka treguar se në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjencës Financiare (NJIF), gjatë këtij viti do të identifikojnë përfituesit nga rrjetet sociale, e më pas do të vazhdojnë me tatimin e tyre, varësisht nga profiti.
“Gjatë këtij viti planifikojmë që në bashkëpunim me NJIF-në të koordinojmë mënyrën dhe mundësinë e identifikimit dhe pastaj edhe të trajtimit të përfituesve financiarë nga rrjetet sociale, ku përfshihet edhe ‘TikTok’”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për KOHËN.
Ky monitorim do të mundësohet përmes veglës analitike (MKCVI), për të cilën ATK-ja ka thënë se e ka rinovuar licencën.
“Vegla analitike për analizimin e rrjeteve sociale, MKCVI, për të cilën kemi rinovuar licencën, na ofron mundësinë e analizimit të rrjeteve sociale, si dhe të ‘TikTok’ –ut, andaj grumbullimi dhe analizimi i informatave dhe i përfituesve nga ky rrjet social mund të bëhet vetëm për raste individuale dhe atë në bashkëpunim edhe me Njësinë e Inteligjencës Financiare, tek e cila subjektet raportuese janë të obliguara që të raportojnë të hyrat nga jashtë”, thuhet tutje në përgjigje.
ATK-ja po ashtu ka treguar se si model për këtë politikë i ka vendet e zhvilluara.
E Benjamin Kolenoviq, njohës i rrjeteve sociale, ka thënë se kjo politikë e ATK-së në çdo aspekt është e mirë, por që ka shpresë se shteti do t’i ndihmojë komunitetit “digjital”.
“Me shpresën që ky vendim i Qeverisë do të rezultojë edhe me lehtësimin e monetizimit, pranimin e kartelave të Kosovës, pranimin e Kosovë si shtet në platformat e monetizimit. Ky vendim mund të jetë pozitiv, në çdo aspekt unë i shoh vetëm anët pozitive”, ka thënë ai.
Me gjithë efektet pozitive, Mentor Hoxhaj, drejtues i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi, ka thënë të dielën se identifikimi dhe tatimimi i përfituesve të rrjeteve sociale do të jenë sfidë për ATK-në.
“Do të jenë sfituese, e para identifikimi dhe tatimi i tyre, përkundër pretendimeve të ATK-së që do ta arrijë. Pavarësisht kësaj, unë mendoj se ky, të themi aksion, do të ketë nivelin e suksesit nga 20 deri në 50 për qind në rastin më të mirë”, tha ai.
Hoxhaj, po ashtu, ka deklaruar se kjo iniciativë nuk do të ketë mundësinë që t’i luftojë faqet që përhapin lajme të rreme nëpër rrjetet sociale.
“Faqet ‘fake news’ nuk do të goditen, sepse një pjesë e madhe e tyre ndodhen jashtë territorit fizik të Kosovës, ndërsa hapësira kibernetike nuk ka kufij gjeografikë”, ka thënë ai.
Dekadën e fundit rrjetet sociale janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm për burimet e lajmeve, të afarizmit e marketingut.