Arbëri

Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE, Von Der Leyen: Formojeni Asociacionin

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka thënë se është me rëndësi që edhe Kosova ka aspirata të qarta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në Bruksel, presidentja e KE-së, ka theksuar se për Kosovën tash është me rëndësi që të ecet drejt zbatimit të obligimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo do të jetë një hap i madh përpara.

“Është me rëndësi për Kosovën që po ashtu ka qëllim të qartë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Se ne po ashtu jemi shumë të qartë se çfarë presim nga Kosova dhe çfarë ai vend mund të realizojë. Kur isha në rajon ne diskutuam implementimin e draftit të statutit që Kosova mori për asociacionin. Ky implementim do të ishte hap i madh për Kosovën dhe është në interes të Kosovës. Unë po ashtu mendoj se, nëse shikojmë Kosovën dhe Serbinë, është me rëndësi për ne që secili vend ka rast unik për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian. E jo të lidhen shumë së bashku sepse incentivat janë shumë më pozitive kur bëjmë pyetje se cili është kontributi juaj për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian, cilat janë aktivitetet tuaja, dhe ne e vlerësojmë kontributin e secilit vend për rrugën drejt BE-së“, tha Von der Leyen.

Komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi duke u përgjigjur në pyetjet se çfarë po ndodh me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE tha se kjo kërkesë është në duart e Këshillit dhe akoma nuk është kërkuar nga Komisioni që të përpilojë opinionin për Kosovën.

Ai tha se kur Këshilli të japë mandatin, Komisioni është i gatshëm të nisë punën në opinionin për statusin e kandidatit për Kosovën.

“Mendoj se është me rëndësi të shohim se po, ka një aplikim të Kosovës për anëtarësim në BE që është dorëzuar. Ai është në Këshill. Këshilli nuk ka kërkuar opinionin. Ne jemi të gatshëm të paraqesim opinionin. Nuk më takon mua të interpretoj pozicionin e Këshillit dhe të vendeve anëtare. Por, ndjenja jonë është, siç e themi edhe në raport, se për Kosovën rrugëtimi evropian shkon përmes dialogut të suksesshëm. Ata duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të bërë dialogun të suksesshëm”, ka thënë Varhelyi.